Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica ka mbajtur hytben e ditës së Premte në Xhaminë e Selitës në Tiranë.

Gjatë fjalimit të tij ai u fokusua në festën e Kurban Bajramit duke sjellë në vëmendje edhe 10 ditët e Dhul-Hixhes dhe Haxhin të cilat lidhen ngushtë me Kurban Bajramin.

Disa nga mesazhet në hytbe po i citojmë më poshtë:

Dita e Arafatit përmban sekrete dhe vlera të mëdha aq sa Profeti i Nderuar Muhamedi (a.s) është shprehur se “Haxhi eshtë Arafat”, duke nënkuptuar se pa qëndrimin në Arafat haxhi i besimtarit nuk quhet i plotësuar. Arafati është momenti që Allahu ka zgjedhur për të pranuar lutjet e besimtarëve më shumë se kurdo tjetër, duke zbritur mëshirën e tij mbi njerëzit, prandaj kush vërtet i drejtohet Krijuesit në Arafat, nuk kthehet asesi duarbosh prej Tij. Sepse për nga afërsia me Zotin, kjo ditë i përngjet sexhdes që është momenti kur njeriu është më pranë Zotit.

Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit. Kjo bindje dhe sakrificë është simbolizuar me profetin Ibrahim dhe djalin e tij Ismail duke arritur majat.

Është fakt i pamohueshëm se Allahu nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd, por ne kemi nevojë për mëshirën e tij. Në Kuranin Famëlartë thuhet se: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i kurbaneve. Ajo që arrin tek Zoti, është bindja dhe devotshmëria juaj ndaj Tij” (Haxh 37).

Kurbani rrit shpirtin bindës ndaj Allahut dhe kryen rolin e afrimit të njeriut me Krijuesin. Në këtë mënyrë njeriu shfaq adhurimin e tij të vërtetë dhe mundohet të kryejë detyrën e falënderimit.

Kubani mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës, ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri dhe ndikon në kalimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore, duke i nxitur ata drejt bashkëpunimit.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë