Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, mbajti sot hytben e ditës së xhuma në xhaminë e qendrës së qytetit të Fierit.

Gjatë kësaj vizite ai u prit nga Myftiu i qytetit, z. Valdrin Mera dhe imami i xhamisë, z. Mikel Hazizolli.

Në referimin e tij për dhjetëra besimtarët e pranishëm, Nënkryetari i KMSH-së u ndal mbi jetën e Profetit (a.s) si shembullin më të përkryer në përditshmërinë e besimtarit.

Duke e ilustruar fjalimin e tij me ajete të shumtë nga Kur’ani fisnik, ai ndau me të pranishmit mëshirën, moralin, drejtësinë, urtësinë e mjaft cilësi të tjera të Profetit Muhamed (s.a.s).

“Çdo dije, sado e madhe qoftë nëse nuk shoqërohet me praktike, do të jetë një barrë e madhe që do ti rëndojë mbi shpinë besimtarit kur ky i fundit të dalë para Allahut xh.sh. Nisur nga kjo, të përqafosh mësimet e Kur’anit dhe synetin e Profetit a.s, për një besimtar të mirë do të thotë të arrish një nivel të atillë moral që do të kënaqë jo vetëm njerëzit që na rrethojnë por mbi të gjitha Krijuesin e Gjithësisë. ” – tha z. Bica gjatë fjalës së tij.

Pas përfundimit të hytbes, nënkryetari i KMSH-së, priu në namazin e xhumasë ku ishin të pranishëm dhjetëra besimtarë të qytetit të Fierit.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë