“Sot më shumë se kurrë, bota e lodhur nga përplasjet dhe urrejtja ka nevojë për dashuri dhe mirëkuptim, tolerancë dhe bashkëjetesë, sepse të gjithë ne, në radhë të parë jemi krijesa të një Zoti të Vetëm, Krijuesit të Gjithësisë, të Gjithëmëshirshmit dhe Mëshirëplotit”, kështu u shpreh nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipësrisë z. Bujar Spahiu në prezantimin e “Takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen”, që bë sot në Tiranë.
Prezantimi i “Takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen” që do të mbahet në Tiranë në datat 6, 7 dhe 8 shtator 2015, u bë nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga z. Erion Veliaj.
Nënkryetari Spahiu shoqërohej edhe nga Drejtori i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar z. Genti Kruja. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të të gjitha feve, pushtetit vendor dhe atij qëndror.
FJALA E PLOTË E Z. SPAHIU
Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar organizatorë të kësaj konference!
I nderuar zotni Erion Veliaj, Ministër i Mirëqenies Sociale,
Fort të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare!
Të dashur miq dhe të ftuar!
Nuk është rastësi që konferenca dhe simpoziume të tilla zhvillohen shpesh në vendin tonë, në Shqipëri. Ne jetojmë në një botë, ku akoma ka konflikte dhe luftëra, të cilat nganjëherë fatkeqësisht përdorin edhe besimet fetare për interesa politike dhe ekonomike.
Sot më shumë se kurrë, bota e lodhur nga përplasjet dhe urrejtja ka nevojë për dashuri dhe mirëkuptim, tolerancë dhe bashkëjetesë, sepse të gjithë ne, në radhë të parë jemi krijesa të një Zoti të Vetëm, Krijuesit të Gjithësisë, të Gjithëmëshirshmit dhe Mëshirëplotit.
Vendi ynë, Shqipëria, me kontributin e veçantë për paqe dhe stabilitet në rajon, përfaqëson një nga rastet e rralla të një vendi me besime të ndryshme fetare, ku të gjithë faktorët politikë të shoqërisë, si dhe komunitetet fetare, janë përkrahës të fuqishëm të integrimit të vendit në vlerat e përbashkëta. Në të njëjtën mënyrë është e nevojshme që edhe kultura e dialogut ndërfetar midis shqiptarëve të besimeve dhe komuniteteve të ndryshme fetare, të shndërrohet në urë komunikimi, shkëmbimi dhe lidhjeve më të forta, midis njerëzve e vendeve, popujve dhe kulturave.
Feja Islame që në origjinën e vet është një fe e bazuar mbi respektin për njeriun dhe mendimin e lirë, mbështetur mbi harmoninë dhe vëllazërimin. Të frymëzuar nga këto mësime, ne myslimanët i shtrëngojmë dorën dhe brohorasim çdokënd, që i shërben njerëzimit dhe njerëzores. Feja kërkon dashuri, dialog, mirëkuptim, kërkon t’i pranosh të gjithë ashtu siç janë. “Hape zemrën me besim dhe ushqe dashuri, zgjate dorën e mëshirës, të mos mbetet asnjë zemër e pikëlluar”, është kjo motoja e çdo myslimani. Janë brezat e ushqyer me parimet e harmonisë, dashurisë dhe dialogut që do të qëndisin qytetërimin e së nesërmes, atë të dialogut dhe mirëkuptimit.
Shqipëria është një vend multifetar, ku historikisht palët e një feje kanë respektuar dhe nderuar palët e fesë tjetër, kjo sepse së pari etika dhe respekti burojnë nga feja dhe së dyti populli shqiptar ka ditur të ndërtojë marrëdhënie shumë të mira, sidomos në bashkëjetesën ndërfetare.
Ky kontribut i dhënë me shekuj në këtë drejtim, ka tërhequr vëmendjen e Evropës dhe botës, nga ku vijnë në vendin tonë të mahnitur nga harmonia ndërfetare, që kanë dëgjuar për Shqipërinë.
Kështu vlera e harmonisë dhe mirëkuptimit ndërfetar në vendit tonë, na udhëheq dhe na prin si një model shembullor dhe unik, për të kontribuar në paqen sociale në Shqipëri dhe më gjerë.
Duke shpresuar që kjo harmoni ndërfetare të jetë gjithmonë një faktor kyç drejt rrugës dhe objektivave tona të përbashkëta, i uroj organizatorëve suksese dhe punë të mbarë.
Zoti e shtoftë dhe e forcoftë dashurinë midis nesh.
Ju faleminderit.