Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i përfaqësuar nga pesë krerët e komuniteteve fetare në vendin tonë, nënshkroi sot me dt. 17 maj 2019 një memorandum mirëkuptimi me Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE).
Në këtë ceremoni të zhvilluar në zyrat e CVE-së merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare, respektivisht, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij Anastasi (njëkohësisht kryetar i KNFSH-së), Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Mons. George Frendo, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, H. Dede Edmond Brahimaj dhe Kreu i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë Pastor Ylli Doçi.
Memorandumi i bashkëpunimit midis Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) dhe Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE), u firmos nga pesë liderët e lartpërmendur, si dhe nga z. Agron Sojati, drejtor i CVE-së, i cili gjatë prezantimit të këtij memorandumi, vlerësoi lart punën dhe kontributin e të gjithë komuniteteve fetare gjatë këtyre viteve, jo vetëm për frymën e dialogut dhe harmonisë ndërfetare, por edhe për paqen sociale dhe modelin që ata ofrojnë.
Në emër të Këshillit Ndërfetar, fjalën përshëndetëse e mbajti Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, i cili vuri theksin e bashkëpunimit midis, jo vetëm të institucioneve fetare mes tyre, por edhe bashkëpunimin me institucionet shtetërore, për parandalimin e çdo forme të radikalizmit dhe ekstremizmit, duke e ruajtur fort vlerën e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërfetar.
Gjatë kësaj ceremoni ishin të pranishëm gjithashtu dhe zyrtarë të lartë të komuniteteve fetare, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar Dr. Genti Kruja. Në fund të saj krerët e pranishëm u njohën nga afër me ambientet dhe aktivitetin e (CVE).
Memorandumi i bashkëpunimit vë theksin në disa pika, si:
- Forcimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve dhe harmonisë ndërfetare, rritjen e bashkëpunimit në interes të paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës, angazhimin e përbashkët për të parandaluar e përballuar çdo synim, veprim, apo angazhim që synon të cenojë e rrezikojë paqen e sigurinë e vendit.
- Rritjen e frymës së bashkëpunimit midis Komunitetet Fetare në Shqipëri dhe Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
- Mbajtjen në angazhim konstant të vlerave më të mira, që kanë karakterizuar shqiptarët dje, sot e në të ardhmen.
- Ngritja dhe institucionalizimi i bashkëpunimit mes Qendrës CVE e Komuniteteve Fetare në Shqipëri, në raporte bilaterale me çdo komunitet dhe në kuadrin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Fryma e bashkëpunimit do të mbështetet në respektin dhe besimin reciprok mes palëve, në interes të një të ardhmeje më të mirë.
- Monitorimi i teksteve shkollore dhe literaturës që hy në ambientet e vuajtjes së dënimit, për të shmangur informacionet që bien ndesh me të vërtetat fetare, që dëmtojnë klimën e besimit e të mirëkuptimit mes besimtarëve, që nxisin dhunën dhe urrejtjen, kundërshtimin e ligjeve, apo rregullave të bashkëjetesës në komunitet.
- Institucionalizimi i bashkëpunimit mes qeverisjes vendore dhe strukturave vendore të komuniteteve fetare nëpërmjet Qendrës CVE, e cila do të ushtrojë gjithë angazhimin dhe përgjegjësinë e saj për ta bërë të mundur këtë, etj.