Kanë nisur sot punimet për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.
Në një prononcim për shtyp drejtori i Vakf-Investimeve në Komunitetin Mysliman, z. Uran Kalej, u shpreh se falë përkushtimit institucional të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe mbështetjes së të gjithë faktorëve për realizimin e ndërtimit të kompleksit të Namazgjasë, u bë e mundur që sot të fillojnë punimet për ndërtimin e saj.
“Sot më në fund, ne po hedhim hapat konkret për të realizuar ëndrrën dhe nevojën e besimtarëve të kryeqytetit, që fillesat e veta i ka që në vitin 1938-të, atëherë kur Tirana vetëm si qytet numëronte 40 xhami dhe kishte disa mijëra banorë. Ndërkohë që sot metropoli ynë me popullsi gati një milion banorë numëron vetëm disa xhami të vogla.
Gjejmë rastin të falënderojmë edhe Komunitetin Mysliman të Turqisë për financimin dhe ndërtimin e kompleksit të Namazgjasë, një vepër e cila do të ketë jo vetëm xhaminë, por edhe një muze islam, bibliotekë, sallë konferencash dhe qendrën kulturore”, tha z. Kalej.
Ndërsa inxhinieri Husejn Shenturk, shefi i Kantierit të Ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë, njëkohësisht përfaqësues i Komunitetit Mysliman të Turqisë, u shpreh se ndihet krenar që po ndërton në Shqipëri xhaminë më të madhe të Ballkanit.
“Pas një sërë përpjekjesh, u përgatitën projektet dhe kemi arritur në fazën e fillimit të punimeve. Me lejen e Allahut sot do të bëjmë gërmimin dhe nivelimin e terrenit. Nëse nuk do kemi probleme, pilotimi dhe gërmimi do të zgjasë 6 muaj. Pas kësaj do të fillojë ndërtimi i karabinasë së xhamisë”, tha z. Shenturk.
Kompleksi i Namazgjasë nuk do të jetë vetëm një xhami, por do të ketë edhe një sallë konferencash, bibliotekë, muze islam, klasa mësimi, dy kate parking dhe ambiente të tjera ndihmëse.
Punimet e xhamisë priten të zgjasin rreth 3 vjet. Kostoja totale supozohet të jetë rreth 30 milion euro dhe me një kapacitet pre 4500-5000 veta vetëm brenda, ndërsa bashkë me pjesën jashtë, ky numër shkon deri në 8000 veta.
16 Prill 2015