img_1923

Një grup studiuesish gjermanë nga Instituti për Studime Politike dhe Sociale në landin e Baden-Wuerttemberg, Gjermani kanë zhvilluar një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Ata janë pritur nga Drejtori i Kulturës Dr. Genti Kruja dhe Drejtori i Kabinetit z. Kelmend Nezha.

Vendi ynë ka tërhequr vëmendjen e këtyre studiuesve, nisur nga harmonia e bashkëjetesa ndërfetare dhe prezenca e rinisë në sfidat e kombit.

Në këtë takim studiuesit e ardhur nga Gjermania kanë shprehur interes të veçantë për institucionin e KMSH-së, sistemin arsimor të saj me medresetë dhe Universitetin Bedër, si dhe për besimin islam dhe historikun e tij në Shqipëri.

Drejtori i Kulturës, z. Kruja i ka njohur ata me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, historinë e Islamit në trojet shqiptare, bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare ndër shqiptarët, persekutimin komunist ndaj besimeve fetare dhe instalimin e sistemit ateist gjatë atij regjimi, si dhe rihapjen e objekteve të kultit në nëntor të vitit 1990.

Studiuesit gjermanë kanë shprehur interes të veçantë për periudhën postkomuniste, duke bërë pyetje të shumta rreth Islamit në Shqipëri, institucioneve arsimore të KMSH-së, frekuentimit të xhamive nga të rinjtë, etj.

Gjatë bisedës, studiuesit gjermanë kanë shprehur fillimisht falenderimet për mikpritjen, duke dhënë kështu vlerësimet më të larta në adresë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe sistemin e vlerave që ai përfaqëson, si dhe për rolin e tij në forcimin e harmonisë ndërfetare. Ata kanë shprehur gjithashtu, konsiderata për përfaqësimin dinjitoz të Islamit nga ana e KMSH-së, duke shtuar se, “ne e dimë që feja islame është fe paqësore dhe bashkëkohore në teori, por sot patëm fatim që ta shohim edhe në praktikë nëpërmjet këtij takimi kaq të ngrohtë dhe të frytshëm”.

Studiuesit gjermanë kanë vizituar gjithashtu xhaminë e Et’hem beut në kryeqytet, ndërsa në ditët në vijim do të vizitojnë edhe qytete të tjera në Shqipëri dhe Kosovë.

10 tetor 2016

img_1926-768x512 img_1928-768x512

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë