Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj priti në selinë e KMSH-së një grup studiuesish gjermanë nga Instituti për Studime Politike dhe Sociale në landin e Baden-Wuerttemberg, Gjermani.
Vendi ynë ka tërhequr vëmendjen e këtyre studiuesve, nisur nga harmonia e bashkëjetesa ndërfetare. Ata ishin të interesuar në njohjen e kulturës dhe zhvillimit të besimit fetar në vendin tonë.
Në këtë takim studiuesit e ardhur nga Gjermania kërkonin të dinin më shumë për institucionin e KMSH-së, funksionimin e tij, kontributin dhe rolin që ai luan në shoqërinë e vendit tonë.
Kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj i informoi studiuesit mbi historikun e KMSH-së, historinë e Islamit në trojet shqiptare, bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në Shqipëri.
Studiuesit gjermanë kanë shprehur interes të veçantë për jetën fetare në Shqipëri duke bërë pyetje të ndryshme mbi jetën e besimtarëve, objektet e kultit dhe frekuentimin e xhamive nga të rinjtë.
Gjatë bisedës, studiuesit gjermanë kanë shprehur falënderimet për mikpritjen, duke dhënë kështu vlerësimet më të larta në adresë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe sistemin e vlerave që ai përfaqëson, si dhe për rolin e tij në forcimin e harmonisë ndërfetare.
Gjatë vizitës së tyre studiuesit gjermanë kanë vizituar disa vende dhe xhami të ndryshme në Shqipëri. Në ditët në vijim ata do të vizitojnë edhe disa xhami të tjera në vendin tonë dhe do të kenë takime me imamët e këtyre xhamive.