E ndërtuar rrëzë urës së vjetër të Bunës, mbi truallin vakëf ku për shekuj ka qëndruar një tjetër xhami e shkatërruar nga regjimi komunist, sot ngrihet një xhami e bardhë, e ndërtuar me gurë të sjellë enkas nga Berati. Kjo është një xhami e ndërtuar tërësisht me kontributin personal dhe nën mbikqyrjen e biznesmenit shkodran Haxhi Gani Kryeziut.

Pikërisht sot, në 28 vjetorin e rihapjes së Xhamisë së Plumbit në Shkodër nga djelmnia shkodrane, ku protagonist ishte edhe vetë Haxhi Ganiu, dhe faljes së xhumasë së parë pas komunizmit, është inauguruar edhe kjo xhami e re.

Në inaugurim morën pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H, Skënder Bruçaj, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, biznesmeni Gani Kryeziu si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Pas këndimit të kuranit nga hafizi Shykry Kapllan, fjalën e rastit e mbajti Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari, i cili ndër të tjera theksoi se: “Dita e përurimit të xhamisë së re te Ura e Bunës, mbi të njëjtin vakëf, ku dekada dhe shekuj më parë ka ekzistuar përherë xhamia, përkon me një datë të shenjtë për mbarë myslimanët e Shkodrës, Shqipërisë dhe trojeve shqiptare, 16 nëntorin. Është kjo datë që na kujton finalizimin e madh të përpjekjeve të djemve të rinj shkodranë, në mesin e të cilëve edhe miku jonë, Gani Kryeziu, për të rihapur të vetmen xhami të ngelur në këmbë, Xhaminë e Plumbit, pas çmendurisë komuniste, që dhunoi dhe shkatërroi krejt xhamitë tona, duke damkosur Shkodrën dhe Shqipërinë me damkën më të turpshme të historisë, asaj që kaloi dhe asaj që vjen, deri në kijamet!”

Kryetari i KMSH, H. Skënder Bruçaj, në fjalën e tij shprehu gëzimin që biznesmenët shqiptarë po kontribuojnë dhe po ndërtojnë xhami për hir të Allahut dhe ky është një model i mirë për tu marrë shembull nga besimtarët biznesmenë. Ai theksoi se inaugurimi i kësaj xhamie në këtë ditë të xhuma të muajit të bekuar të Mevludit, e cila përkon edhe me një datë të rëndësishme për mbarë besimtarët myslimanë të Shqipërisë, me 16 Nëntorin 1990 kur u hap xhamia e parë dhe u fal xhumaja e parë pas komunizmit, merr një dimension tjetër, pasi vetë Haxhi Ganiu ka qenë ndër nismëtarët e hapjes së xhamisë së plumbit dhe sot Allahu ja mundësoi që me të ardhurat e veta të ndërtojë një xhami të bukur, e cila do të hijeshojë qytetin e Shkodrës.

Në mbyllje të ceremonisë, donatori dhe ndërtuesi i xhamisë, Z. Gani Kryeziu falënderoi të pranishmit dhe shprehu gëzimin e përfundimit të kësaj xhamie e cila nga sot do të jetë e hapur për besimtarët.

Më pas u mbajt edhe hytbeja nga Myftiu i Shkodrës dhe u fal xhumaja e parë në këtë xhami.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë