Përfaqësues të Zyrës së Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, zhvilluan sot (14 Shkurt 2014) një vizitë në Spitalin Pediatrik të Tiranës, ku u shpërndarë fëmijëve të shtruar në këtë spital libra, e lodra e dhurata të tjera të shumta.
Përgjegjësja e Zyrës së Gruas znj. Fatma Karaj, teksa i uroi fëmijëve shërim sa më të shpejtë, u shpreh se gjithkush duhet të bashkohet dhe sensibilizohet për të ndihmuar këta fëmijë, qoftë edhe për t’i dhënë kurajo. Ajo shprehu gatishmërinë e Komunitetit Mysliman për t’i plotësuar çdo nevojë të tyren dhe premtoi se do t’i vizitojë sërish.
Kryeinfermierja e Pediatrisë znj. Nevila Duraku, falënderoi znj. Karaj dhe Komunitetin Mysliman për këtë surprizë të bukur siç e quajti ajo. “Ju falënderoj përzemërsisht vizitën dhe për dhuratat edhe në emër të fëmijëve dhe prindërve të tyre, jeni të mirëpritur çdo herë. Këta fëmijë siç e shihni përveç sëmundjes dhe nevojës që kanë për kurim janë edhe në një gjendje të vështirë financiare dhe çdo ndihmë sado e vogël është një suport i madh për ta. Shpresoj që vizita juaj sot këtu të bëhet shkak që të vijnë edhe të tjerë, qoftë edhe për të kaluar një pasdite me këta fëmijë”, tha znj. Duraku.
Fëmijët u argëtuan nga numrat humoristik dhe imitimet e personazheve të tyre të dashur vizatimor, të realizuara nga nxënësja e medresesë së Tiranës Ueda Kate.
Erisa, ishte ajo e cila u gëzua edhe më shumë pasi kishte disa ditë që kishte kërkuar libra me përralla.
Në spitalin e fëmijëve në kryeqytetit ndodhen të shtruar mbi 20 fëmijë të moshës nga 0 -14 vjeç të cilët vuajnë nga veshkat dhe i nënshtrohen çdo ditë procesit të Dializës. Fëmijët vijnë çdo mëngjes nga Tropoja, Kuksi e Tepelena dhe largohen në darkë.