Për të pestin vit radhazi, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, organizoi ritualin e Haxhit për besimtarët myslimanë shqiptarë.
400 besimtarë nga qytete të ndryshme të vendit, kanë kryer ritualin e Haxhit të këtij viti, duke plotësuar kështu një nga obligimet kryesore të fesë islame.
Pas procedurave të regjistrimeve, haxhilerët shqiptarë kanë marrë informacionin e duhur për mënyrën e kryerjes së këtij adhurimi, përmes seminareve informuese që KMSH organizoi posaçërisht për këtë rast.
Teologët, staf i KMSH, kanë trajnuar besimtarët duke treguar rëndësinë, vlerat dhe simbolikën e çdo riti dhe mënyrën se si kryhet ky adhurim.
Të gjithë besimtarët janë pajisur me nga një libër shpjegues i cili sqaron qartë ritualin dhe lutjet që thuhen për secilin vend që vizitohet.
Gjithashtu grupi i haxhinjve shqiptarë është shoqëruar nga një guidë e përbërë prej drejtues të KMSH, teologësh, mjekësh dhe murshidësh (shoqëruesish), të cilët kanë qenë në gatishmëri të besimtarëve, në mënyrë që ky adhurim të realizohet sipas rregullave të përcaktuara nga feja islame.
Drejtori i Zyrës së Haxhit dhe Marrëdhënieve me Botën Islame, z. Hamdi Çurri, lidhur me organizimin e haxhit të këtij viti, tha se çdo gjë shkoi ashtu siç ishte parashikuar.
“Mund të themi që organizimi ishte mjaft i mirë, këtë mund ta konfirmojnë edhe vetë haxhinjtë. Stafi ynë ka qenë gjatë gjithë kohës në dispozicion, dhe fatmirësisht, me lejen e Zotit, gjithçka ka ecur sipas asaj që ne kishim planifikuar. Unë i uroj të gjithë haxhilerëve shqiptarë Haxh të pranuar te Allahu i Gjithësisë.”, u shpreh z. Çurri.
Gjatë qëndrimit 20 ditor në Arabinë Saudite, haxhinjtë kanë ndalur për disa ditë edhe në qytetin e Medinës, ku kanë vizituar edhe Xhaminë e Profetit a.s.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon stafin organizator për përpjekjet dhe gatishmërinë e treguar në shërbimin të haxhilerëve, veçanërisht, Haxhinjtë shqiptarë që iu bashkuan miliona besimtarëve nga e gjithë bota për të qenë më afër Zotit në këtë udhëtim jete.
Ky është viti i pestë që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizon Haxhin institucionalisht dhe numri i atyre që duan ta kryejnë këtë obligim vjen gjithnjë në rritje.