Skender BrucajPersonalitete të politikës, fesë dhe kulturës në vend dhe më gjerë, kanë uruar kreun e ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj.

Në mesazhet e tyre ata i kanë uruar z. Bruçaj shëndet, suksese e mbarësi në udhëheqjen dhe drejtimin Komunitet Mysliman të Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama në mesazhin e tij të urimit i ka uruar suksese Kryetarit Bruçaj në misionin e tij fisnik në shërbim të besimtarëve, atdheut dhe kombit, si dhe ka garantuar mbështetjen e plotë të qeverisë ndaj Komunitetit Mysliman.

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Lulzim Basha, ka vlerësuar kontributin e Komunitetit Mysliman në gjithë këto vite, me  bindjen së në drejtimin e z. Bruçaj institucioni do ta lartësojë edhe më tej traditën shekullore në shërbim të besimit dhe kombit.

Mesazhe urimi kanë mbërritur edhe nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erjon Veliaj.

Gjitashtu urime kanë mbërritur edhe nga ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, si dhe shumë përfaqësues të tjerë të pushtetit qendror dhe atij vendor.

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava ka përgëzuar kryetarin Bruçaj me rastin e zgjedhjes në krye të institucionit më të lartë fetar në vend, duke shprehur gatishmërinë për të punuar në të mirë të dy vendeve, institucioneve dhe besimtarëve myslimanë.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni Sulejman ef. Rexhepi, në telegramin e tij të urimit është shprehur se beson shumë në bashkëpunimin e ndërsjellë dhe ka siguruar përkrahjen e plotë të BFI-së së Maqedonisë.

Ndërkohë edhe krerët e komuniteteve të tjera fetare në vend kanë dërguar mesazhet e tyre të urimit dhe kanë shprehur mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre.

Mosns. Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit Tiranë – Durrës, ka uruar kreun e ri me besimin dhe bindjen se do të vazhdojë traditën e  shkëlqyer të përforcimit të marrëdhënieve ndërfetare, në nder e lavdi të Zotit e në dobi të Komunitetit Mysliman.

Imzot George Frendo, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, është shprehur se formimi intelektual e profesional i z. Brucaj, është garanci për t’u angazhuar me energji dhe aftësi në këtë mision të ri dhe për të nxitur më tej bashkëjetesën paqësore ndërfetare.

Qindra mesazhe urimi kanë mbërritur edhe nga besimtarët, miq e dashamirë brenda dhe jashtë kufijve.

 

11 Mars 2014

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë