ZK1A4203

Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani me rastin e festës së Fitër Bajramit ka shtruar një darkë solemne në Pallatin e Brigadave, ku ka dekoruar edhe disa personalitete, sipas propozimeve dërguar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Të pranishëm, në këtë ceremoni ishin Kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj, Kryetari i Parlamentit, z. Ilir Meta, kryeprokurori z. Adriatik Llalla, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leska, drejtues të komuniteteve fetare, Kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale, z. Anastas Janullatos, përfaqësues nga Kisha Katolike, Nunci Apostolik në Tiranë, Arqipeshkvin Ramiro Moliner Iglès, rektori i Universitetit Bedër, Dr. Ferdinand Gjana, drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, personalitete të jetës publike, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, përfaqësues të shoqatave të ndryshme, drejtues të institucioneve arsimore islame, myftinj dhe besimtarë.

Gjatë fjalës së tij Presidenti i Republikës fillimisht ka uruar bajramin, duke thënë ndër të tjera se:

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që festës Tuaj, lumturimit Tuaj, devocionit Tuaj, në këtë ditë të shënuar, t’i bashkoj përunjësisht urimin tim, për shumë vjet gëzuar Bajramin e shenjtë, këtë festë madhështore të muslimanëve, këtë mundësi të mrekullueshme që na afron me njëri-tjetrin dhe me Zotin, që na pakson vuajtjet dhe dëshpërimet, dhimbjet e plagëve na i bën të durueshme.

Njeriu që sakrifikon për përsosjen shpirtërore, është i pamposhtur. Energjia e njeriut të pamposhtur vjen piksëpari nga realizimi dhe respektimi i barazpeshës mes të drejtave dhe detyrave, në mënyrë të atillë që ajo barazpeshë të jetë funksionuese dhe produktive. Nëse barazpesha në fjalë çrregullohet, sidomos kur me të drejtat teprohet, vijnë të gjitha rreziqet që shkaktojnë të gjitha të këqiat. Të mos kujdesesh për ekuilibrin mes të drejtave dhe detyrave, do të thotë të keqes t’i hapësh portën. Të keqes porta nuk i duhet. Të keqes porta i mbyllet. T’ja mbyllësh portën së keqes dhe t’ja hapësh të mirës, për së pari e për së fundi, do të thotë ta kesh mendjen të kthjellët dhe shpirtin të pastër, me fjalë të tjera, t’i bindesh vullnetit të Zotit, të zbatosh me përpikmëri porositë e Tij. Jo nga frika, por me gjithë shpirt. Pas kësaj, vetëm pas plotësimit të këtij kushti, vijnë të gjitha të mirat”, tha ndër të tjera Presidenti I Republikës, z. Bujar Nishani.

Më pas Presidenti i Republikës, ka dekoruar disa personalitete myslimane, bazuar në një kërkesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, figura këta të shquara për gjatë më shumë se një shekulli të veprimtarisë së tyre. Katër prej tyre si H. Vehbi Dibra, H. Zyber Hallulli, H. Xhemal Mullaj dhe H. Shaban Saliaj janë dekoruar pas vdekjes me dekorata të larta dhe z. Xhemal Balla për kontributin e tij shumëdimensional dhe aktiv në ditët tona.

Dekoratat janë dhënë nga Presidenti i Republikës si më poshtë:

  1. Haxhi Vehbi Dibrës, “Urdhri i Flamurit Kombëtar”, si kryetar i Kongresit të Dibrës, firmëtar i pavarësisë, kryetari i parë i Kuvendit të Shqipërisë më 1912, ai që dha fetvanë (ligjshmërinë fetare) të përdorimit të flamurit kombëtar, kryemyftiu i parë i Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetari i Parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
  2. Zyber Hallullit, me Urdhrin “Naim Frashëri”, si themelues i Strehës së parë Vorfonore në Tiranë, kryetar i parë i Bashkisë Tiranë pas pavarësisë.
  3. Hafiz Xhemal Mullai, me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si Kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” – Stamboll, deputet, nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të Shqipërisë, pedagog i Teologjisë në Universitetin e Stambollit, kryetar i Komisionit të Drejtësisë në parlament, ngritës i flamurit në Stamboll për diasporën shqiptare atje.
  4. Hafiz Shaban Saliaj, Medalja e Mirënjohjes “Për merita të veçanta civile”, si kontribues në rikthimin e lirisë së besimit, Myfti i Tiranës, mësues në Medresenë e Tiranës.
  5. Xhemal Balla, Medalja e Mirënjohjes “Për merita të veçanta civile”, për kontributin në arsimi dhe kulturë, botimin e shumë librave, mësues dhe drejtor i Medresesë së Tiranës.

Familjarët e personaliteteve të dekoruar, si dhe z. Xhemal Balla, pasi kanë marrë në dorëzim medaljet përkatëse, kanë bërë gjithashtu edhe nga një përshëndetje, ku kanë falënderuar Presidentin e Republikës për vlerësimin e bërë, si dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për kontributin, që po jep në nxjerrjen në pah të këtyre figurave, siç ishin ata të cilët nuk janë sot më mes nesh.

ZK1A4061ZK1A4204  ZK1A4094 ZK1A4057 ZK1A4033ZK1A4031ZK1A4187 ZK1A4123 ZK1A4140 ZK1A4152ZK1A4101

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë