Presidenti Amerikan, Barak Obama ka shtruar një iftar në Shtëpinë e Bardhë, më 14 korrik 2014, për nder të amerikanëve myslimanë, dhe myslimanëve në mbarë botën.
“Ramazani për myslimanët është kohë për të kujtuar dhe reflektuar se disiplina dhe devotshmëria janë esenca e jetës si besimtar. Për të gjithë ne, pa marrë parasysh çfarë besimi kemi, Ramazani është një përkujtues i asaj se sa dhe çfarë jemi të gatshëm të ndajmë me të tjerët”, u shpreh z. Obama gjatë iftarit.
Këtë vit, në mbajtjen e iftarit tradicional, ku në Shtëpinë e Bardhë ftohen njerëz të shquar të komunitetit mysliman, Obama ka përgëzuar edhe arritjet e tre amerikanëve myslimanë, për iniciativat e tyre të dobishme në interes të komunitetit ku ata jetojnë.
Ai ka nderuar Kelly Carlisle, e cila drejton një fermë urbane që ushqen familje dhe mëson fëmijët për ta vlerësuar punën e zellshme; Muhammed Chaudhry, i cili drejton një fondacion që punon me shkolla, prindër dhe teknologji, për t’i ndihmuar studentët në zënien e shkencës dhe matematikës; dhe Aala Mohamed, e cila zhvillon kurrikula përmes të cilave inspiron nxënësit e shkollave të mesme myslimane – në veçanti vajzat – të ndjekin karrierën e tyre në teknologji dhe inxhinieri.