Komuniteti Mysliman i Shqipërisë prezantoi paraditen e sotme(19 prill 2013) projektin e xhamisë së madhe të Tiranës. Në këtë prezantim morën pjesë, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, Drejtori i Komitetit të Kulteve, z. Rasim Hasanaj, Kryesia e KMSH-së, Myftiu i Tiranës, H. Ylli Gurra, përfaqësues nga ambasadat e vendeve myslimane në Tiranë, krerë dhe përfaqësues të shoqatave islame me aktivitet në Shqipëri.
Në fillim aktiviteti u hap me këndim Kurani nga Imam Lauren Luli, më pas fjalën e mori Kryetari i KMSH-së , Haxhi Selim Muça, i cili falënderoi të pranishmit për prezencën dhe për kontributin e vazhdueshëm, që kanë dhënë për jetën fetare në Shqipëri dhe gjithashtu i njohu të pranishmit me ecurinë e procesit të ndërtimit të Xhamisë së Madhe.
Ai nënvizoi rëndësinë e kësaj xhamie për të gjithë besimtarët myslimanë të Shqipërisë dhe u shpreh se në të ardhmen do të ketë takime të tjera për sa i përket financimit të projektit të xhamisë së madhe nga të gjithë shqiptarët dhe më gjerë.
Më pas fjalën e mori kreu i Komitetit të Kulteve z. Rasim Hasanaj, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, theksoi se ky projekt është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për myslimanët, por për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Ai vlerësoi punën e kreut të KMSH-së Haxhi Selim Muça dhe të gjithë atyre që ndihmuan dhe që do të ndihmojnë për finalizimin e këtij projekti madhor.
Ndërkohë një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, i cili pasi përshëndeti të pranishmit theksoi se besimtarët myslimanë të Shqipërisë kanë plot 78 vjet që presin këtë xhami të madhe dhe se të gjithë paraardhësit e KMSH dhe më gjerë janë munduar që ta finalizojnë këtë projekt por ishte caktimi i Zotit që ky të ndodhë sot. Pasi përmendi rolin e Hafiz Sabri Koçit falënderoi dhe uroi kreun e KMSH-së, z. Muça.
Ndërsa nënkryetari i Komunitetit Mysliman Gazmend Aga, pasi e cilësoi këtë projekt si të të gjithë myslimanëve falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në finalizimin e këtij projekti, Kreun e KMSH-së Haxhi Selim Muçën, të gjithë institucionet që ndihmuan në finalizimin e procedurave, myftininë dhe imamët e Tiranës si dhe familjen Kruja e cila dhuroi një truall të konsiderueshëm për ndërtimin e xhamisë së re. Më tej ai vazhdoi me prezantimin e projektit dhe detajet rreth tij.
Në përfundim u organizua një koktej për të ndarë gëzimin e kësaj ditë.