Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Myftinia Delvinë, organizuan të shtunën e 8 Shkurtit 2014, simpoziumin “Muhamedi a.s. mëshirë për botët”.
Në fjalën e tij Kancelari i Komunitetit Mysliman z. Ali Zaimi u shpreh se vlerat profetike janë ato për të cilat çdo shoqëri ka nevojë, pasi ndjekja e udhëzimeve që profeti ynë la për mbarë njerëzimin, janë për një jetë më të mirë dhe për një shoqëri të mbrujtur nga virtytet, morali dhe devotshmëria.
Drejtori i Kabinetit në KMSH, z. Oltion Kola, në referatin e tij, vuri në dukje, veçori të spikatura të jetës së Profetit Muhamed a.s., personaliteti i të cilit është për t’u marrë shembull nga të gjithë.
Ndërkohë Myftiu i Delvinës, z. Bledar Ali, u shpreh se organizimi i një aktiviteti të tillë është mjaft i rëndësishëm për qytetarët e Delvinës, pasi njohja me figurën dhe vlerat profetike është mjaft e domosdoshme, pasi ato udhëzojnë kah e vërteta, rruga e drejtë dhe e ndershme.
Për herë të parë në Delvinë organizohet një simpozium i tillë, ku pjesëmarrja ishte masive, ku të pranishëm ishin edhe Kryetari i Bashkisë Delvinë, Nënprefekti i Vlorës, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve lokale.
Gjithashtu në aktivitet u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër mbi jetën e Profetit Muhamed a.s. Simpoziumi u moderua nga gazetari Ermir Hoxha.