Departamenti i Shkencave Islame organizoi programin artistik me titull: “Rrugëtimi i Ramazanit ndër ne”, ku studentët, nëpërmjet kumtesave të ndryshme dhe fjalës artistike përcollën rëndësinë dhe vlerën e këtij muaji të madhërueshëm.
Pas hapjes së programit me lexim Kurani nga studenti Abdullah Ziba, i pranishëm në aktivitet, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli në fjalën e tij përshëndetëse, iu drejtua të pranishmëve duke thënë se muaji i agjërimit është muaji ku njeriut i bëhet thirrje që veprimtaritë tona të përditshme të kalojnë në një kritikë të atillë sa ta bëjnë njeriun të fitojë njohuri më reale të qëllimit dhe jetës së tij, ta përafrojnë atë sa më shumë drejt origjinës së tij shpirtërore.
Ndërsa Dr. Genti Kruja , përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame, bëri një retrospektivë se si sot ne kemi mundësinë ta ndajmë këtë begati të Zotit në shoqërinë tonë, kundrejt kohës kur sistemi komunist kishte ndaluar ritet fetare në Shqipëri. Ai gjithashtu në fjalën e tij nuk la pa përmendur shembullin e H. Sabri Koçit i cili për 20 vite në burg nuk e la agjërimin për asnjë moment, edhe pse në kushte ekstreme të mbijetesës.
Aktiviteti vijoi më pas me kumtesa, ilahi e poezi të sjella bukur për të pranishmit nga studentët.