Në kuadër të aktiviteteve të organizuara në përkujtim të Profetit Muhamed a.s., Medreseja e Korçës organizoi në ambientet e saj programin festiv “Profeti Muhamed – Krenaria e Njerëzimit”.

Në këtë event artistiko-fetar, dedikuar Profetit Muhamed a.s., interpretuan emra të njohur të skenës dhe ekranit shqiptar si: Lind Islami, Venera Lumani, Dritan Boriçi, Sokol Angjeli, Lazareta Deti, Era Domi, nxënës dhe Kori i Medresesë së Korçës, të cilët sollën për spektatorët ilahi, pjesë të zgjedhura poetike, e plot supriza të tjera.

Në program ishin të pranishëm nënkryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë z. Gazmend Aga, Myftiu i Korçës, z.Ledian Cikalleshi,­­­­­­­­­­­­­­­­­ drejtori i Arsimit në KMSH, z. Oltion Kola,­­­­­­­­­ nënkryetari i Bashkisë së Korçës, z.Ermal Saraçi, nënkryetarja e Prefekturës së Korçës, znj. Mimosa Shuli, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, prindër, nxënës si dhe shumë qytetarë të Korçës.

Programi filloj me leximin e ajeteve Kuranore nga teologu, Jurgen Shehu dhe me përshëndetjen e mirëseardhjes nga drejtori i Medresesë së Korçës, z. Iljaz Karagëz.

Në emër të Komunitetit Mysliman programin e përshëndeti nënkryetari Gazmend Aga, i cili përgëzoi organizatorët dhe solli në vëmendje të pjesëmarrësve mesazhet e vyera të Profetit Muhamed.

“Profeti Muhamed ishte njeri i përkryer edhe pa qenë profet. Ai ishte sihariq  i profetëve të tjerë, ishte plotësimi i këtij mesazhi të bukur hyjnorë. Gjithmonë ai ka dhënë mesazhe të vyera para dhe pas profecisë. Deri në moshën 40 vjeçare, pa e ditur se do ishte profet, ai jetoj një jetë prej profeti. Profeti Muhamed nuk lëndoi asnjë zemër gjatë gjithë jetës së tij. Ai ishte gati të dhuronte gjithë botën që një zemër ta pranonte Zotin”, tha ndër të tjera z. Aga.

Pjesë e përshëndetjeve, mesazheve dhe vlerësimeve ishin edhe myftiu i Korçës, nënkryetari i Bashkisë së Korçës dhe nënkryetarja e Prefekturës së Korçës.

Nën regji të Agron Hoxha, programi shënoi një tjetër ngjarje ku arti dhe fjala e bukur shërben për promovimin e figurës së lartë të Profetit Muhamed a.s., Krenarisë së Njerëzimit.

13 maj 2017

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë