“Muhamedi a.s, Profeti i Mëshirës” titullohej programi i cili u organizua në Xhaminë e Golemit.
Në këtë program ishin të pranishëm nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu, myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini, myftiu i Shkupi, z. Qenan Ismaili, imami i xhamisë së Golemit, Gëzim Abdishahu, imamë të tjerë, dhe besimtarë të shumtë.
Nënkryetari i KMSH-së foli për moralin dhe universalizmin i Profetit a.s.
“Edukata morale dhe etike si dhe influenca shpirtërore e Muhamedit a.s ishte aq e thellë dhe e fuqishme, saqë njerëzit të cilët ishin gjysmë të egër, injorantë e larg civilizimit, arritën të jenë të butë, të mëshirshëm dhe të krijojnë një shoqëri të mrekullueshme e që sot historia e njerëzimit e shikon me lakmi dhe nuk njeh një gjeneratë të tillë diku tjetër”, tha z. Spahiu.
I ftuar në këtë program, myfti i Shkupit mbajti ligjëratën e tij mbi mëshirën dhe dashurinë e Profetit Muhamed a.s.
Gjatë këtij programi përshëndetën edhe myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini dhe imami Gëzim Abdishahu.
Ata falënderuan ligjëruesit dhe sollën në vëmendje të besimtarëve të pranishëm këshilla nga jeta e Profetit Muhamed a.s.
Ndërsa grupi i ilahive i ardhur nga Gostivari zbukuruan programin me ilahitë e interpretuara.