Me rastin e 25-vjetorit të rihapjes së Xhamisë Ibë dhe hyrjes në tre muajt e shenjtë, Rexhep, Shaban, dhe Ramazan, Myftinia e Tiranës dhe Xhamia Ibë organizuan një ceremoni festive.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu, administratori i njësisë administrative të Berzhitës, z. Refik Veliaj, përfaqesuesi i Këshillit të Qarkut të Tiranës, z. Fatmir Veleshnja, imami i Xhamisë Ibë, z. Ilir Selba si dhe banorë të zonës.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse nënkryetari i KMSH-së theksoi rëndësinë e tre muajve të shenjtë dhe tha se tre muajt kanë një shije të vetën, e cila i veçon ata nga muajt e tjerë.
“Muaji Rexheb është muaji i faljes, amnistisë nga Allahu; muaji Shaban është muaji i shefaatit, ndërmjetësimit për falje; muaji Ramazan është muaji i shtimit të mirësive. Personat të cilët hapin shpirtrat e tyre në këta muaj e ndjejnë veten më afër lumenjve firdeus të parajsës ku do të qëndrojnë përjetësisht shoqëruar me ndjenjat e rrjedhura nga pastërtia e besimit”, tha ndër të tjera Spahiu.
Administratori i njësisë administrative të Berzhitës, z. Refik Veliaj dhe përfaqësuesi i Këshillit të Qarkut të Tiranës, z. Fatmir Veleshnja vlerësuan rolin e Xhamisë së Ibës ndër vite dhe kontributin e saj në organizimin e aktiviteteve të ndryshme në këtë zonë.
Ndërsa imami i xhamisë falënderoi të ftuarit dhe i këshilloi besimtarët që t’i shfrytëzojnë tre muajt e shenjtë.
Në fund të programit u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për disa nga banorët e kësaj zone të cilët kanë kontribuar në mirëmbajtjen e xhamisë dhe shërbimin ndaj fesë.