Programi festiv 2014 “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit” u organizua edhe në qytetin e Burrelit.
Drejtori i Kabinetit në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë z. Oltion Kola u shpreh se lindja e profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të, është festa më e madhe për ne, sepse Krenaria e Njerëzimit është padyshim njeriu më i rëndësishëm i pemës së krijimit.
“Ai është drita udhëzuese drejt së vërtetës, është personaliteti që la mbresat më të mëdha në historinë njerëzore. Ai ishte dhe vazhdon të jetë shembulli më i bukur dhe më i përkryer në çdo aspekt të jetës për mbarë njerëzimin.”, tha z. Kola.
Kryetarja e Bashkisë së Matit znj. Adelina Farrici, u shpreh se njeriun nuk e bën të lumtur paraja e pushteti, por dashuria dhe mirësia që ka në shpirtin e tij.
“Mësimet e Profetit Muhamed ngrihen mbi tolerancën mirëkuptimin dhe dashurinë mes njëri-tjetrit. Një njeri nuk mund ta bëjë lumtur paraja dhe pushteti që ka. Një njeri e bën të lumtur nëse shpërndan dashur, nëse ndihmon ato që kanë nevojë dhe kjo është pasuria më e madhe për çdo njërin nga ne”, tha znj. Farrici.
Ndërsa Myftiu i Matit z. Taulant Bica falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe u shpreh se Profeti Muhamed dhe mësimet e tij janë si një gonxhe që rritet çdo ditë në zemrat e besimtarëve.
“Profeti ishte njeriu i paqes dhe qetësisë, i tillë ishte edhe mesazhi i tij. Për të përjetuar këtë paqe e qetësi duhet të bëjmë të njohur mesazhin që ai na përcolli. Në një botë të pandriçuar nga mesazhet e profetëve, nuk do të kuptohej e mira nga e keqja, drita nga errësira. Mesazhet e tyre i kanë dhënë kuptim ekzistencës”, nënvizoi z. Bica.
Programi i cili u moderua nga Andon Barhani dhe Romelda Qose, u shoqërua me këndim Kurani, ilahi dhe interpretime poezish nga medresistët e Tiranës.
/Drita Islame/
10 Maj 2014