Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” u zhvillua dje pas namazit të akshamit në Xhaminë e Pazarit në Krujë, ku kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu dhe nënkryetari, z. Lauren Luli ligjëruan për të pranishmit mbi vlerën dhe dobitë që na sjell muaji i bekuar i Ramazanit.
Programi filloi me leximin e ajeteve Kur’anore nga nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli.
Myftiu i Krujës, z. Eriol Haxhiu pasi bërë një hyrje mbi rëndësinë e programeve dhe takimeve të përbashkëta fetare i kaloi fjalën kryetarit të KMSH-së.
Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu në ligjëratën e tij u fokusua në vlerësimin që duhet t’i bëjë besimtari muajit të Bekuar të Ramazanit, mirësitë dhe mëshirën e këtij muaji.
“Ramazani është muaji në të cilin manifestohet më shumë mëshira e dashuria. Ky është muaji kur të pasurit nxiten të mendojnë më shumë për të varfrit, ndërsa njerëzit në përgjithësi priren t’i forcojnë më shumë marrëdhëniet familjare, farefisnore dhe ato shoqërore. Agjërimi i dhuron shpirtit njerëzor një qetësi shpirtërore. Gjatë këtij muaji hiqen barrierat dhe besimtarët janë më të dashur me Zotin e tyre dhe vëllazëria mes njerëzve shtohet. Gjithashtu ky është muaji i Kur’anit dhe besimtari duhet ta forcojë lidhjen me të, si dhe të shtoi veprat e mira, pasi adhurimet në këtë muaj kanë një vlerë tjetër.”, tha z. Spahiu.
Në fund të programit myftiu i Krujës falënderoi kryetarin e KMSH-së për ligjërimin dhe tha se këto tubime sjellin dritë, rizgjonë ndjenjën e besimit dhe rimikëmbin vlerat islame.
Pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe imamët e xhamive të Myftinisë së Krujës.