Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvilloi promovimin e librit “Jeta e Sahabëve”, të autorit M. Jusuf Kandehleui.

Aktiviteti promovues, i cili filloi me leximin e disa ajeteve të Kuranit Famëlartë nga Abdullah Ziba, u zhvillua ditën e djeshme në ambientet e Hotel Tirana, ku ishin të pranishëm, imamë, myftij, studentë, besimtarë të shumtë, si dhe paneli i referuesve, i përbërë nga: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Drejtori i Kulturës në KMSH, z. Dorian Demetja, Myftiu i Korçës, z. Ledian Cikalleshi, Pedagogu i Shkencave Islame në KU “Bedër”, z. Ali Zaimi si dhe Teologia, znj. Aisa Kokiçi.

Panelin e referimeve e hapi z. Demetja, i cili pas falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen parashtroi punën disa mujore në botimin e këtij libri nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Në fjalën e tij të rastit, Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, pasi theksoi rëndësinë e literaturës islame në gjuhën shqipe si një nga prioritetet e tij në ushtrimin e detyrës së kreut të KMSH-s.  Ai u ndal në jetën dhe veprën e heronjve të parë, Sahabëve të nderuar, të cilët e besuan dhe i’u bashkuan thirrjes së Profetit Muhamed (a.s.) në islam.

“Muhamed Jusuf Kandehlevi ka përmbledhur me anë të këtij libri historinë, besimin, veprat, sakrificat e atyre njerëzve të medhenj. Kjo gjeneratë e artë mori mbi supe një barrë tepër të rëndë, barrë e cila fillimisht rëndoi mbi karakteret e secilit prej tyre. Këto histori, këto transformime karakteresh, këta përhapës të mëdhenj të mesazhit të Islamit dhe veprës së Profetit Muhamed (a.s.), këta transmetues të detajshëm të jetës së tij, tashmë i kemi edhe në gjuhën tonë shqipe, falë përkthyesit shumë të talentuar, z. Silvestër Manaj, në bashkëpunim me stafin e drejtorisë së kulturës së KMSH.” – u shpreh ai gjatë fjalës së tij.

Më tej, fjalën e mori z. Zaimi, i cili ndau me të pranishmit virtytet, karakterin dhe moralin e Sahabëve, duke e ilustruar fjalën e tij me histori të ndryshme nga jeta e tyre.

Ndërsa Myftiu i Korçës, z. Cikalleshi, trajtoi vlerën e këtij libri duke bërë një rezyme të shkurtër të kapitujve të tij.

Në fund, znj. Kokiçi, trajtoi për të pranishmit: “Ndikimin pozitiv të modelit të sahabëve në formimin e karakterit të një besimtari mysliman”.

Pas përfundimit të aktivitetit promovues, dhjetëra të pranishëm e bënë të tyrin këtë libër.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë