Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë mori pjesë në promovimin e librit: “Refik Ajazi, klerik dhe atdhetar – Jeta dhe veprimtaria e tij”, me autor Qemal Vrionin.
Në aktivitetin e organizuar në Pallatin e Kulturës në Durrës merrnin pjesë edhe shumë personalitete si kryetari i Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako, përfaqësues të komuniteteve fetare, Myftinj, familjarë të Refik Ajazit, intelektualë, miq të klerikut, studiues dhe qytetarë të Durrësit.
Kryetari i KMSH-së në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi figurën e klerikut dhe atdhetarit Refik Ajazi.
“Sot ndihem i nderuar që marr pjesë në promovimin e librit me titull “Refik Ajazi, klerik dhe atdhetar – Jeta dhe veprimtaria e tij”. Refik Ajazi ishte një nga figurat më të shquara të Islamit në Shqipëri. Ai e shikonte përsosjen e njeriut nëpërmjet diturisë e përkushtimit në kryerjen e detyrës karshi Zotit, popullit dhe Atsheut. Ai ishte një fetar me intelekt të madh, i ditur, i çiltër, me shpirt të madh dhe nxënës i Kur’anit Famëlartë”, tha Spahiu.
KMSH e ka përfshirë Refik Ajazin në botim e librit me titull “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”.
Autori i librit, z. Qemal Vrioni solli për të pranishmit eksperiencën dhe përjetimet e tij gjatë kohës që ai shkruajti librin për klerikun dhe atdhetarin Refik Ajazi.
Gjithashtu gjatë aktivitetit përshëndetën kryetari i Bashkisë së Durrësit, përfaqësuesit fetarë dhe familjarët.
Më tej aktiviteti ka vijuar me përshtypjet dhe kritikën e studiuesve mbi librin.