Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu mori pjesë në promovimin e veprës “Për fe dhe atdhe”, të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Sulejman ef. Rexhepit.

Kryetari i KMSH-së z. Spahiu përgëzoi kreun e BFI të RMV-së për promovimin e kësaj vepre dhe tha se kjo vepër tregon qartë përpjekjen dhe kontributin e Sulejman ef. Rexhepit në shërbim të fesë dhe atdheut.

“Intervistat, analizat, fjalimet, kumtesat, mesazhet apo vlerësimet janë të përmbledhura kujdesshëm në 6 libra. Duke parë peridhën prej më shumë se dy dekadash e cila përfshihet në këtë vepër, mund të themi se është një vlerë e shtuar për të gjithë ata të cilët duan të udhëtojnë në kohë dhe të njihen me periudhat e ndryshme të rrugëtimit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV me në krye Sulejman ef. Rexhepin. Sot kjo vepër shërben për të reflektuar dhe mësuar nga arritjet, situatat, vështirësitë, pengesat dhe përpjekjet gjatë këtyre viteve. Vëllimi prej gjashtë librash do të jetë informacion i dobishëm për të gjithë shqipfolësit në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, rajon dhe mbarë botën ku gjenden shqiptar”, tha ndër të tjera z. Spahiu.

Në këtë promovim ishin gjithashtu të pranishëm përfaqësues nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës, studiues, intelektualë, myftinj dhe pjesëmarrës të ndryshëm.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë