Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shtruar mbrëmë iftarin e parë të Ramazanit, ku morën pjesë presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Ilir Meta, kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko, Prefektja e Tiranës, znj. Suzana Jahollari, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi,  drejtues të komuniteteve fetare në vend, ambasadorë të vendeve të ndryshme të akredituar në Tiranë, përfaqësues të medias, njerëz në nevojë, individë me aftësi të kufizuara, besimtarë, imamë, drejtues institucionesh si dhe shumë figura të jetës fetare, politike e shoqërore.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, i uroi të pranishmëve mirëseardhjen duke shtuar se Ramazani është muaji i sakrificës, reflektimit, dashurisë dhe paqes.

“Ramazani është një muaji reflektimi për këdo. Gjatë këtij muaji të marrim përsipër përgjegjësitë tona, të kërkojmë falje për gabimet, t’i korigjojmë ato me vepra të mira. Të reflektojmë edhe një herë mbi mendimet dhe sjelljet tona, duke e kthyer dëgjimin më shumë se kurrë tek zëri i ndërgjegjes dhe arsyes. Lus Zotin që ky muaj i begatë e i paqtë të na kthejë vëmendjen tek familja, të transmetojmë në folenë familjare mesazhin e dashurisë dhe paqes, të edukojmë fëmijët me dashuri për Zotin,  atdheun, për tjetrin dhe jetën. Të nderuar motra dhe vëllezër, Zoti na forcofte vullnetin dhe ndjenjen e sakrifices për të përhapur të mirën, paqen, sigurinë, shpresën dhe dashurinë”, tha ndër të tjera kreu i KMSH-së.

Ndërsa Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Meta tha së ishte i nderuar të merrte pjesë në këtë iftar dhe shprehu nderime të thella ndaj besimtarëve për përkushtimin e tyre ndaj Shqipërisë dhe Zotit!

Komuniteti Mysliman e ka kthyer në traditë shtrimin e iftarit të parë të Ramazanit. Nëpërmjet kësaj tryeze, institucioni i myslimanëve shqiptarë bashkon figura të rëndësishme të jetës publike, të cilët vijnë për të nderuar e respektuar sakrificën e myslimanëve në muajin më të rëndësishëm të kalendarit islam.

 

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë