Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Drejtoria e Rinisë dhe Marrëdhënieve me Xhematin, në bashkëpunim me Myftininë e Vlorës, organizoi një simpoziumin “Rinia në Islam” me të rinjtë e qytetit bregdetar.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Ali Zaimi, foli për të rinjtë në këndvështrimin e Kur’anit duke sjellë si shembull Ibrahimin (a.s.), babain e profetëve, një shembull të shkëlqyer që ka ditur të harmonizojë devotshmërinë ndaj Krijuesit dhe përkujdesjen ndaj familjes dhe shoqërisë.
“Në Kuran, në suren Kehf, Libri i Allahut na ofron një grup të rinjsh, që nuk i përulen askujt veç Krijuesit dhe që shpërndajnë veçse mirësi kudo ku shkojnë dhe i luten me besim të palëkundur që t’u japë rrugëzgjidhje në çuarjen në vend të misionit të tyre, për tu bërë të njohur krijuesin njerëzve”, tha z. Zaimi.
Ndërsa Drejtori i thirrjes në Islam z. Elvis Naçi, u ndal në këndvështrimin e traditës profetike mbi të rinjtë, duke sjellë shembuj nga jeta e sahabeve.
“Respekti ndaj prindërve, morali i lartë, harmonia mes njëri-tjetrit, devotshmëria dhe përkushtimi në rrugën e Allahut, ishin prej cilësive të sahabeve, shokëve të Profetit tonë (a.s.). Ndaj edhe të rinjtë e sotëm nuk kanë shembull më të mirë për të ndjekur sesa jetën e Profetit dhe të shokëve të tij”, tha z. Naçi.
Në përfundim, Elmaz Fida, këshilltar i kryetarit të KMSH-së, trajtoi nevojën e të rinjve për modele, ku sipas tij familja dhe shoqëria janë dy institucione që shërbejnë si model për fëmijën dhe të riun.
“Në jetën e Profetit Muhamed (a.s.), i gjejmë të ndërthurura shumë ngushtë këto dy institucione. Atë e gjejmë të kryejë rolin e prindit që përcjell tek fëmijët dhe nipërit e tij vlerat më sublime, por e gjejmë dhe të ofrojë modelin më të mirë të mësuesit, mikut, kolegut, fqinjit, dashamirësit, etj”, tha z. Fida.
Programi i moderuar nga Drejtori i Rinisë dhe Marrëdhënieve me Xhematin z. Armand Shehu, u mbyll me këshillën se çdo besimtar mysliman duhet të jetë një shembull i mirë për shoqërinë.
Aktiviteti u zhvillua paraditen e 6 majit 2015, në Universitetin “Pavarësia” të Vlorës.