“Roli i edukimit fetar në promovimin e një kulture të përparimit dhe zhvillimit” – Ishte kjo tema e simpoziumit ndërkombëtar, të zhvilluar ditën e djeshme nga Departamenti i Shkencave Islame në KU “Bedër”.
Në këtë simpozium morën pjesë drejtues të lartë institucionesh fetare, veçojmë këtu Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, si dhe një grup studiuesish nga bota Islame, si: Dr. Mohamad Bachari, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane, Emiratet e Bashkuara Arabe, Dr. Mustafa Cerić, President i Kongresit Botëror Boshnjak, Bosnjë & Hercegovinë, H. Resul Rexhepi, Ish Sekretari i Përgjithshëm i BIK, Kosovë, Dr. Naser Ramadani, Fakulteti i Shkencave Islame, Maqedonia e Veriut, Dr. Jamal el Seferty, Departamenti i Shkencave Islame, KU Bedër, etj.
Në fjalën e tij, Kryetari Spahiu, theksoi rolin e arsimit fetar në promovimin e kulturës së përparimit dhe zhvillimit të shoqërisë.
“Ky arsim, i cili ka filluar me zbritjen e Kuranit Famëlartë dhe ka vazhduar deri në ditët tona, ka për qëllim të ndërtojë një shoqëri që bazohet në drejtësi e tolerancë dhe të t’i japë rëndësi themelore dijes si bazë për qytetërim e zhvillim. Në këndvështrimin e Islamit të gjitha dijet e shkencat e dobishme gëzojnë konsideratë të lartë.” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Simpoziumi, i cili u zhvillua online, vijoi me tej me referimin e të lartëpërmendurve, të cilët bënë një pasqyrim të të situatës së arsimit fetar në shtetet përkatëse, duke theksuar arritjet e deritanishme, problematikat e hasura ndër vite, si dhe të ardhmen e afërt në këtë kontekst.