Rreth 400 besimtarë shqiptarë nga qytete të ndryshme të vendit, kanë vizituar vendet e shenjta Meke dhe Medine, ku kanë kryer ritualin e Haxhit, duke përmbushur kështu edhe kushtin e pestë të fesë Islame.
Prej gjasthë vitesh, siç është bërë traditë tashmë, organizimi dhe dërgimi i besimtarëve në këto vende bëhet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Grupi i haxhinjve shqiptarë është shoqëruar nga një guidë e përbërë nga drejtues të KMSH, teologësh, mjekësh dhe shoqëruesish, të cilët kanë qenë në gatishmëri të besimtarëve, në mënyrë që ky adhurim të realizohet sipas rregullave të përcaktuara nga feja islame.
Në krye të grupit organizator ishte nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu dhe si dhe drejtori i Haxhit z. Hamdi Çurri.
Pasi kanë mbërritur në Mekë, besimtarët kanë kryer ritualin e Umres që përbëhet nga tavafi (7 rrotullime rreth Xhamisë së Shenjte) në Qabe dhe Saji (vrapimi) mes kodrave Safa-Merve.
Më pas ata kanë qëndruar për disa ditë në Mekë në pritje të fillimit të ritualit të Haxhit. Gjatë kësaj kohe besimtarët kanë kryer vizita të shpeshta në Xhaminë e Shenjtë, duke falur namaz dhe duke iu lutur Krijuesit të Gjithësisë, gjithashtu gjatë këtyre ditëve ata kanë pasur mundësi të ndjekin ligjëratat e teologëve të KMSH-së, të zhvilluara çdo ditë në Mesxhidin (faltoren) e Hotelit, çka i ka përgatitur ata shpirtërisht si dhe me njohuritë përkatësë për kryerjen e Haxhit.
Dy ditë përpara Kurban Bajramit, ka nisur edhe rituali i Haxhit, ku haxhinjtë kanë pasur mundësi të vizitojnë vendet e shenjta, si Mina, Muzdelife, Xhemerat si dhe kanë shkuar në Malin Arafat, aty ku janë takuar për herë të parë dy njerëzit e parë mbi tokë, Hz. Ademi dhe Hz. Havaja.
Vizitat në këto vende janë pjesë e kushteve kryesore të ritualit të Haxhit, dhe të gjithë besimtarët nga e gjithë bota i kanë kryer ato ashtu siç i ka kryer Profeti Muhamed a.s.
Gjatë vizitave dhe qëndrimit në këto vende besitmarët janë lutur dhe kanë adhuruar Zotin e Gjithësisë.
Pas përfundimit të ritualit të Haxhit, besimtarët shqiptarë kanë shkuar edhe në Medine, ku kanë qëndruar për dy ditë dhe kanë vizituar Xhaminë e Proetit Muhamed a.s.
22 shtator 2016