Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e besimit” u zhvillua dje pas namazit të jacisë në Myftininë Sarandë, ku ishin të pranishëm Drejtori i Thirrjes dhe Mesazhit Islam, z. Erjol Haxhiu, Drejtori i Marrëdhënieve me Xhematin, z. Shpëtim Seranaj, Myftiu i Sarandës, z. Bledar Mulla dhe Myftiu i Gjirokastrës, z. Aorel Senja dhe besimtarë të shumtë.

Aktiviteti u hap nga Myftiu i Sarandës, i cili foli për rëndësinë e takimeve të tilla që edukojnë dhe motivojnë besimtarët për të shtuar veprat e mira. Ai theksoi se prezenca në mësime dhe tribuna të tilla ndihmon jo vetëm në pasurimin shpirtëror, por edhe në ndërtimin e një shoqërie me baza të forta morale.

Më pas, Myftiu i Gjirokastrës, referoi mbi kuptimet e ajetit të fundit të sures Ankebut, duke e lidhur atë me përpjekjet e pandërprera të besimtarit për sukses në këtë botë dhe në ahiret. Ai u ndal te vlera e përpjekjes për ndërtimin e një familjeje të shëndetshme dhe mbi përgjegjësitë që kjo sjell.

Më tej, z. Haxhiu, foli mbi rolin e prindërve në edukimin e fëmijëve, duke theksuar se përveç edukimit shkencor, është thelbësore t’u ofrohet edhe një edukim fetar. “Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një të ardhme të sigurt për ta. Bashkëshortët duhet të kalojnë më shumë kohë me njëri-tjetrin dhe me fëmijët e tyre,” tha ai, duke shtuar rëndësinë e mbikëqyrjes së përmbajtjeve që fëmijët ndajnë në rrjetet sociale, për t’i mbrojtur nga ndikimet negative.

Ndërsa z. Seranaj, theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve mes besimtarëve, duke marrë shembull nga marrëdhënia e Profetit Muhamed (a.s) dhe sahabëve. Ai foli për vlerën e hoxhës dhe rëndësinë e kurseve fetare në xhami, duke nënvizuar rolin e dijes në ruajtjen e traditave dhe besimit. Në fjalën e tij, ai ndau shembuj nga periudha e komunizmit, duke shprehur besimin se familja myslimane shqiptare ka forcën për të ruajtur traditën fetare në çdo situatë.

Mbrëmja përfundoi me ujë zemzemi, duke e kthyer këtë aktivitet në një moment bashkimi dhe reflektimi për të gjithë të pranishmit.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë