Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, z. Muhamed bin Abdulkerim el-Isa, zhvilloi ditën e djeshme takimin e radhës me krerët e komuniteteve fetare të vendit tonë, takim ky i organizuar nën kujdesin e Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.

Në fjalën hapëse të këtij takimi, kryetari Spahiu, pasi i falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, vlerësoi bashkëpunimin dhe harmoninë që karakterizon marrëdhënien ndërmjet komuniteteve fetare të vendit tonë. Sipas tij, ky shembull është jetësuar tashmë në çdo qelizë të shoqërisë dhe si i tillë ruan dhe promovon bashkëjetesën në diversitet.

Menjëherë pas tij, fjalën e mori Dr. el-Isa, i cili u shpreh se kjo tryezë është tepër domethënëse dhe me plot mesazhe se Shqipëria është një model inspirues në bashkëjtesën ndërmjet besimeve fetare.

Më tej, krerët e komuniteteve fetare përshëndetën vizitën e Dr. el-Isa në vendin tonë si dhe vlerësuan kontributin e tij në fushën e dialogut, paqes, tolerancës dhe humanizmit në mbarë botën. Gjithashtu ata ndanë pikëpamjet e tyre karshi harmonisë ndërfetare si një prej vlerave më të çmuara që karakterizon vendin tonë dhe që tashmë është kthyer në simbol identifikues në arenën ndërkombëtare.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, i cili prezantoi shkurtimisht aktivitetin e këshillit ndërfetar ndër vite, si dhe hodhi dritë mbi etapat më të rëndësishme të zhvillimit të besimit në vendin tonë. Në fund të prezantimit të tij, ai i dorëzoi Dr. el-Isa një dhuratë simbolike në emër të KNFSH-së.

Kujtojmë se më herët, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, z. Muhamed bin Abdulkerim el-Isa, i shoqëruar nga Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, i vizitoi krerët e komuniteteve fetare të vendit tonë në selitë e tyre përkatëse, duke u njohur nga afër me aktivitetin e tyre në shërbim të besimtarëve.

   

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë