Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, z. Muhamed bin Abdulkerim el-Isa, ndodhet në një vizitë disa ditore në vendin tonë.

Në kuadër të kësaj vizite, ditën e sotme ai ishte në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku u prit nga kryetari H. Bujar Spahiu dhe drejtues të tjerë të lartë të institucionit.

Pasi i uroi mirëseardhjen Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës së Botës Islame dhe delegacionit të tij shoqërues, kryetari Spahiu, e njohu atë me institucionin që ai drejton, misionin, vizionin dhe rolin e tij në shoqërinë shqiptare. Po ashtu, ai vlerësoi figurën e të lartëpërmendurit si mjaft të rëndësishme në përhapjen e mesazhit të drejtë e të saktë Islam në mbarë botën.

“Personaliteti i z. Muhamed bin Abdulkerim el-Isas është i njohur kudo për kontributin e tij në promovimin e dialogut dhe bashkëjetesës ndërfetare. Aktiviteti i tij mbarëbotëror bazohet në frymën e Kuranit dhe të traditës Profetike, si i tillë, ky aktivitet mbart vlera të jashtëzakonshme fetare, sociale e humanitare me synimin për të ndërtuar ura të forta komunikimi mes feve, kulturave e qytetërimeve në mbarë botën.” – u shpreh z. Spahiu në fjalën e tij.

Ndërsa, z. Abdulkerim el-Isa, pasi shprehu kënaqësinë e tij për zhvillimin e kësaj vizite zyrtare në vendin tonë, vlerësoi rolin model të bashkëjetesës ndërfetare që servir vendi ynë, jo vetëm për rajonin por për mbarë botën, në këtë kontekst ai veçoi rolin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë si mjaft të rëndësishëm.

“Shqipëria është një vend që i ka pritur dhe i ka dashur të gjithë. Andaj edhe unë sot jam mjaft i kënaqur me pritjen që po më bëhet si nga institucionet publike po ashtu edhe nga vëllezërit tanë këtu në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Ne e njohim KMSH-në si një kështjellë, si një kala të distancimit nga çdo lloj forme ekstremiteti dhe dhune, andaj jam shpresëplotë se kjo vizitë do të sjellë fryte për të gjithë, qoftë nga ana fetare po ashtu edhe nga ajo humanitare e sociale, pasi me lejen e Zotit do të kemi projekte të ndryshme të cilat do të duam t’i zhvillojmë së bashku në të ardhmen.” – veçoi gjatë fjalës së tij z. Abdulkerim el-Isa.

Takimi ndërmjet dy krerëve të lartëpërmendur vijoi më tej duke diskutuar mbi aspekte të ndryshme institucionale e fetare.

Në fund të takimit, kryetari Spahiu dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, shkëmbyen dhuratat protokollare me këtë rast.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë