Drejtoria e Burimeve Njerëzore në KMSH, në kuadër të realizimit të programit të saj për zhvillimin profesional të kuadrove të saj, organizoi më datë 20 qershor 2013 në Medresenë e Korçës seminarin me temë “Funksionimi i institucionit dhe roli i imamit”, me pjesëmarrjen e imamëve të Korçës, Devollit e Pogradecit.
Myfti i Korçës, z. Qazim Muçi falënderoi drejtuesit e KMSH-së për këtë organizim të dobishëm si dhe pjesëmarrësit që iu përgjigjën ftesës. Në lidhje me temën e seminarit, z. Muçi theksoi se, imami, duke qenë mësuesi i të gjithëve, ka një rol të rëndësishëm në bashkimin e njerëzve dhe edukimin e tyre me frymën e pastër të besimit. “Juve mbani mbi shpatulla një peshë të madhe, por edhe një mision fisnik, prandaj duhet të jepni më të mirën në shërbimet dhe thirrjen tuaj ndaj njerëzve”, nënvizoi myftiu Muçi.
Seminari vijoi me fjalën e nënkryetarit të KMSH-së Bujar Spahiu, i cili foli në mënyrë të detajuar për rolin e imamit jo vetëm si drejtues fetar por dhe si edukator e dijedhënës, etj. Për këtë, ai kërkoi imamët e pranishëm që të bëjnë më shumë për gjallërimin e jetës fetare në xhamitë ku ata veprojnë si dhe të jenë më aktivë në jetën sociale e kulturore të komunitetit. Nga ana tjetër, ai paralajmëroi imamët që të bëjnë kujdes në këtë periudhë zgjedhjesh, duke kërkuar prej tyre mospolitizimin e minbereve për qëllime personale apo interesat e të tjerëve. “Ne jemi krenarë që i shërbejmë një feje kaq të pastër, prandaj ftesa dhe fjalët tona duhet të jenë të pastra, larg çdo interesi personal, politik apo ekonomik”, tha z. Spahiu.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, z. Dorian Demetja sqaroi se qëllimi i kualifikimit të imamëve prej institucionit është i lidhur me faktin se ata janë pjesë e institucioneve fetare, pjesë e komunitetit, pjesë e shoqërisë, aktorë të rëndësishëm dhe që kanë nevojë për mbështetje në punën e tyre.
“Prezantimi i fesë kërkon përtëritje të të menduarit, përvetësim të njohurive specifike rreth mjedisit, shëndetit, qytetarisë, etj. Përmes këtyre aktiviteteve, ne jemi përpjekur të aftësojmë imamët për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të sotme të individit dhe shoqërisë”, tha z. Demetja. Ai u fokusua nga vijat e përgjithshme, deri në detajet më të hollësishme, lidhur me detyrën profetike të Imamit, duke u ndaluar po ashtu edhe në çështje që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm dhe mirëfunksionimin e jetës së xhamisë.
Në mbyllje, pjesëmarrësit në seminar kanë falënderuar përzemërsisht drejtuesit e KMSH-së dhe kanë kërkuar që “dora” e institucionit të jetë më e pranishme në të ardhmen. Ata kanë pasur mundësinë që të vizitojnë ambientet e medresesë ku kanë pasur një komunikim me drejtuesit dhe disa nga mësuesit e shkollës dhe janë njohur me ecurinë dhe rezultatet e saj të kënaqshme gjatë këtyre viteve.