Zhvillimi i aftësive menaxhuese dhe nxitja e performancës individuale të drejtuesve të lartë fetarë, ishte tematika e seminarit të organizuar nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore në Komunitetin Mysliman paraditen e sotme, datë 9 shkurt 2013, me pjesëmarrjen e disa prej myftinjve të Shqipërisë.
Fjalën e rastit e mbajti z. Ali Zaimi, kancelar i KMSH, i cili ndër të tjera theksoi rëndësinë e një seminari të tillë, që është vazhdim i seminareve të organizuara fillimisht me imamët e rretheve, duke e cilësuar si një nismë të mrekullueshme për rritjen profesionale të punonjësve fetarë dhe ndërgjegjësimin për detyrën që ata mbajmë mbi shpatulla. Më pas ai foli për rëndësinë e detyrës së drejtuesit fetar dhe rolit të tij si faktor kyç në organizimin e jetës fetare dhe jo vetëm të komunitetit ku ai jeton e vepron.
Nënkryetari Bujar Spahiu prezantoi më pas platformën që një myfti duhet të ketë parasysh në ushtrimin e detyrës së tij dhe elemenet ku fokusi i tij duhet të jetë më i madh. Ai veçoi disa nga veçoritë që duhet të ketë drejtuesi fetar, si : parimi dhe sinqeriteti, besimi te kauza, jetesa shembullore dhe morali i bukur, aftësimi i vazhdueshëm i vetes dhe durimi përballë sfidave.
Më pas ishte z. Dorian Demetja, drejtor i Burimeve Njerëzore, i cili bëri edhe prezantimin e detajuar të pikave përbërëse të seminarit.
Një pikë kyçe e seminarit ishte diskutimi i pjesëmarrësve, të cilët krahas informacioneve të ndryshme parashtruan ide dhe sugjerime për të rritur efikasitetin e punës së tyre në shërbim të institucionit, besimtarëve dhe shoqërisë, duke iu përshtatur vazhdimisht kontekstit të zhvillimeve të shoqërisë shqiptare.
/Drita Islame/