Në kuadër të bashkëpunimit mes Komunitetit Mysliman dhe Universitetit Bedër, në ambientet e këtij të fundit, u zhvillua më 14 Shkurt 2014, një seminar trajnimi me imamët e rrethit të Tiranës.
Në seminarin “Islami dhe komunikimi në publik”, morën pjesë mbi 40 imamë, të cilët patën mundësinë të përfitojnë nga eksperienca dhe njohuritë e lektorëve sa i përket metodave bashkëkohore të prezantimit të Islamit, qasjes ndaj masës, mënyrave të komunikimit e dialogut,etj.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skënder Bruçaj, u shpresh se aktivitete të tilla janë tepër të rëndësishme për zgjerimin e njohurive të punonjësve të myftinive dhe se Komuniteti Mysliman do të organizojë seminare të tilla me përfaqësues të të gjitha rretheve.
Ndërsa Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra e cilësoi këtë si një hap mjaft të rëndësishëm, i cili do të mund të shërbejë si një vlerë e shtuar dhe një kualifikim ekstra për të gjithë punonjësit e institucioneve islame në vend.
Rektori i Universitetit Bedër Dr. Ferdinand Gjana tha se Universitetit Bedër, e veçanërisht Fakulteti i Shkencave Islame, do të jetë gjithmonë i hapur për bashkëpunim dhe trajnim të stafit të çdo myftinie në vend.
Temat që u trajtuan gjatë këtij seminari ishin: “Rëndësia e Unitetit dhe solidaritetit në Islam”, nga Prof.Dr. Ayhan Tekineş, Zv. Rektor dhe Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane; “Metodat e kumtesës dhe karakteristikat e kumtuesit”, nga Dr. Muhamed Mutevel’li, Pedagog në Departamentin e Shkencave Islame, dhe “Arti i Komunikimit në Publik”, nga Ramadan Çipuri, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit.
Në përfundim të seminarit u ndanë certifikata për imamët pjesëmarrës.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësues të tjerë të Komunitetit Mysliman, Myftinisë Tiranë dhe Universitetit Bedër.