Myftinia Shkodër zhvilloi një aktivitet përkujtimor në kinema ‘Millenium’, me rastin e 24 vjetorit të rihapjes së xhamisë së Plumbit, ku u shfaq i plotë edhe filmimi i ceremonisë së asaj dite.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, nënkryetari Ali Zaimi, drejtori i Kulturës Genti Kruja, rektori i Universitetit “BEDËR”, dr. Ferdinand Gjana, Arqipeshkvi Shkodër/Pult, mons. Angjelo Massafra, Famulltari i Kishës Ortodokse, At Nikolla Petani, Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, Prefekti i Qarkut Shkodër, z. Paulin Radovani, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid Cungu, Kryetari i Këshillit të Bashkisë Shkodër, z. Bardhyl Lohja, imamë të xhamive, intelektualë, pedagogë, studentë e të rinj të shumtë.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, vlerësoi datën 16 nëntor 1990, si një moment reflektimi për të kuptuar nevojën e madhe që njeriu ka për besimin dhe vlerat e tij në jetë. Ai kërkoi nga të pranishmit që kjo datë të kujtohet përherë si një prag prej ku nisi ripërtëritja e vlerave besimore në vendin tonë, drejt lartësimit të harmonisë kombëtare dhe vlerave më të larta të saj.
Ndërkohë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, theksoi se rihapja e xhamisë së Plumbit para 24 vjetësh, shënoi një kthesë të madhe në rikthimin e shoqërisë shqiptare nga ateizmi i imponuar drejt dyerve të fesë dhe Zotit. Ai vlerësoi rolin e madh të Hafiz Sabri Koçit në thirrjen drejt vlerave të Islamit dhe ato të harmonisë dhe vëllazërisë kombëtare.
Më pas, të pranishmit ndoqën materialin e filmimit të ceremonisë së para 24 viteve, duke përjetuar nostalgjinë e një date, që u kthye në një stacion drejt dritës së besimit.
14 Nëntor 2014