Ditën e xhuma, më 15 nëntor 2013, Myftinia Shkodër ka organizuar një “Shtegtim nostalgjie…” drejt Xhamisë së Plumbit, në prag të përkujtimit të 23 vjetorit të rihapjes së saj, më 16 nëntor 2013, që shënoi edhe rilejimin e praktikës fetare në Shqipëri.
Me këtë rast, besimtarë të shumtë kishin mbërritur në Xhaminë e Plumbit për të falur namazin e xhumasë, duke dëshmuar njëkohësisht mrekullinë e besimit dhe përkushtimin e zemrave.
Në nderim të kësaj ngjarje, i pranishëm në këtë aktivitet përkujtimor ka qenë edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu. Në hytben e xhumasë të mbajtur me këtë rast, nënkryetari i KMSh, ka vlerësuar rolin e madh dhe kontributin e Kryetarit të parë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. H. Sabri Koçi në rimëkëmbjen islame në vitet e para të demokracisë.
Në hytben e tij, H. Bujar Spahiu ka vënë theksin te nevoja e madhe që ka njeriu për të ruajtur besimin e tij dhe për t’u udhëzuar në rrugën e mësimeve të fesë, të mbrojtura në Kur’an dhe të praktikuara në mënyrën më të mirë në traditën e Hz. Muhammedit (a.s).
Nënkryetari i KMSh, ka nxitur frymën e harmonisë dhe respektit që besimtarët duhet të kenë në mes vete dhe me besimtarët e feve të tjera në rrugën e forcimit të mëtejshëm të frymës së besimit dhe mësimeve të pastra me të cilat feja orienton besimtarët.
Aktivitetin e ka përshëndetur edhe Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari, i cili lexoi për të pranishmit edhe procesverbalin e parë të themelimit të Bashkësisë Islame Shqiptare në Shkodër, më 16 nëntor 1990, si dhe ka përmendur emrat e nderuar të gjithë firmëtarëve që shënuan emrat e tyre në historinë e ripërtëritjes së Thirrjes Islame në Shkodër e Shqipërinë e pas viteve ‘90.
Në përfundim të kësaj xhumaje përkujtimore, të pranishmit kanë marrë pjesë në koktejlin e shtruar me këtë rast, si dhe kanë vizituar foto-ekspozitën e instaluar në brendësi të safallekut të xhamisë së Plumbit.