Me datë 24 nëntor 2016 është zhvilluar në Shkup Konferenca e III-të Shkencore kushtuar kolanës “Zani i Naltë”, me titull, “Zani i Naltë – Thesari kulturor, fetar e kombëtar”, organizuar nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë në Fakultetin e Shkencave Islame.
Pas dy konferencave shkencore të zhvilluara gjatë këtij viti në Tiranë dhe Prishtinë, tashmë është zhvilluar edhe konferenca e radhës nga në Shkup, mbajtur në ambeintet e Fakultetit të Shkencave Islame.
Të pranishëm në këtë konferencë kanë qenë krerët e bashkësive dhe komuniteteve myslimane të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, përfaqësues të lartë nga këto institucione, myftinj, akademikë dhe studiues.
Në seancën e përshëndetjeve kanë mbajtur fjalën e rastit kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçaj, Myftiu i Kosovës H. Naim Tërnava dhe Kryetari Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë H. Sulejman Rexhepi.
Gjatë fjalës së tij kreu i KMSH-së ka theksuar se, “Tribuna intelektuale e revistës Zani i Naltë, në përgjigje jo vetëm të nevojave të kohës, mbeti gjatë në memorien e zhvillimit kulturor të shqiptarëve, duke kontribuuar në pasurimin e vlerave të shoqërisë shqiptare.
Sot, edhe pse ka kaluar gati një shekull nga themelimi i vet, artikujt e revistës Zani i Naltë mbeten sa aktualë, aq edhe edukues dhe me mjaft vlera kulturore e arsimore, duke u bërë kështu një tribunë e trashëgimisë intelektuale te shqiptarët.
Tanimë u takon studiuesve që nëpërmjet këtij botimi të hulumtojnë dhe të nxjerrin mësime të dobishme, duke u bazuar në artikujt e revistës, që trajtojnë çështje që e ruajnë akoma aktualitetin e tyre edhe sot e kësaj dite”, ka thënë ndër të tjera kryetari z. Bruçaj.
Më pas është zhvilluar seanca shkencore nën moderimin e dekanit të Fakultetit të Shkencave Islame të Maqedonisë Doc. Dr. Faredin Ebibi. Kumtesa nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kanë mbajtur nënkryetari H. Gazmend Aga dhe Drejtori i Kulturës Dr. Genti Kruja. Në panelin e kumtesave shkencore kanë referuar gjashtë panelistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, siç ishin:
- Dr. Naser Ramadani, FSHI-Shkup,
“ Mendimi pedagogjik në revistën Zani i Naltë”.
- Resul Rexhepi, BIK-Prishtinë,
“ Zani i Naltë projekt i mendimtarëve vizionarë”.
- Gazmend Aga, KMSH
“Gruaja në revistën Zani i Naltë”
- Ziber Lata, FSHI-Shkup,
“ Shumëdimensionaliteti dhe reflektimet e Zanit të Naltë”.
- Genti Kruja, KMSH-Tiranë,
“Zani i Naltë, një shekull në shërbim të dijes”.
- Beqir ef. Memeti, BFI-Shkup,
“Zani i Naltë-zëdhënës i mendimit intelektual të myslimanëve shqiptarë”.
Gjatë ditës së konferencës delegacioni i KMSH-së i kryesuar nga kryetari H. Skender Bruçaj ka zhvilluar edhe një takim me krerët e bashkësive islame dhe me dekanin e FSHI-së, ku kanë folur për projekte të tjera të përbashkëta. Kryetari i KMSH-së i ka dhuruar gjithashtu atyre disa kopje të botimeve të fundit të KMSH-së.