Shporta e Ramazanit 2023 në ndihmë të 2000 familjeve në nevojë
Në prag të Muajit të Bekuar të Ramazanit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Bamirëse dhe Humanitare “Mbreti Selman” dhe Ambasadën e Arabisë Saudite në Tiranë, hapën fushatën e bamirësisë në ndihmë të mbi 2000 familjeve me vështirësi ekonomike në mbarë vendin tonë.
Ceremonia e lançimit të kësaj nisme u zhvillua sot në ambientet e Medresesë së Tiranës.
Të pranishëm ishin nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Z. Tauland Bica, z. Fajsal Gazi Hifdhi, ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Abdulkerim Al Jusuf, përfaqësues i Qendrës Humanitare “Mbreti Selman” dhe z. Edison Hoti, drejtor i Vakf-Investimeve në KMSH.
Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari Bica, u shpreh se ne jemi të vetëdijshëm se nevojat janë më të mëdha, por sigurisht jemi po aq të vetëdijshëm se nisur nga konteksti aktual, ku një krizë gati globale ushqimore dhe inflacioni ka prekur vende edhe më të pasura se vendi jonë, është një ndihmë që do të zbusë sado pak këtë gjendje.
Z. Fajsal Gazi Hifdhi, ambasador i Mbretërisë së Arabisë Saudite në vendin tonë theksoi gjatë fjalës së tij marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona dhe përforcimin e tyre të vazhdueshëm nëpërmjet nismave të tilla, të cilat e gjejnë burimin te udhëzimet e Mbretit të Arabisë Saudite, Selman bin Abdulaziz dhe Princit të Kurorës, Muhamed bin Selman.
Ndërsa z. Abdulkerim Al Jusuf, përfaqësuesi i qendrës financuese të këtij projekti, theksoi se falë këtij kontributi të vyer të Mbretit Selman bin Abdulaziz, nëpërmjet qendrës humanitare me të njëjtin emër, rreth 2000 familje në nevojë do të kenë një ndihmë të konsiderueshme ushqimore për muajin e bekuar të Ramazanit.
Fushata konsiston në shpërndarjen e pakove me ndihma të ndryshme ushqimore. Fillimisht pakot me nga 67 kg ushqime secila, do t’ju dorëzohen përfaqësuesve të KMSH-së në 34 rrethe të vendit, më pas këta të fundit do t’jua shpërndajnë familjeve në nevojë.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë