Në prag të Muajit të Bekuar të Ramazanit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Bamirëse dhe Humanitare “Mbreti Selman” dhe Ambasadën e Arabisë Saudite në Tiranë, hapën fushatën e bamirësisë në ndihmë të mbi 5.500 familjeve me vështirësi ekonomike në mbarë vendin tonë.
Ceremonia e lançimit të kësaj nisme u zhvillua më 28 mars në ambientet e Medresesë së Tiranës.
Të pranishëm ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Myftiu i Tiranës z. Lauren Luli, zëvendës ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Abdullah bin Sa’d el-Shehri dhe përfaqësues të Qendrës Humanitare “Mbreti Selman”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari Spahiu, u shpreh se ne jemi të vetëdijshëm se nevojat janë më të mëdha, por sigurisht jemi po aq të vetëdijshëm se nisur nga konteksti aktual, ku një krizë gati globale ushqimore ka prekur vende edhe më të pasura se vendi jonë, është një ndihmë që do të zbusë sado pak këtë gjendje.
Ndërsa z. Abdurrahman el Zeben, përfaqësuesi i qendrës financuese të këtij projekti, theksoi se falë këtij kontributi të vyer të Mbretit Selman bin Abdulaziz, nëpërmjet qendrës humanitare me të njëjtin emër, rreth 5.500 familje në nevojë do të kenë një ndihmë të konsiderueshme ushqimore për muajin e bekuar të Ramazanit.
Fushata konsiston në shpërndarjen e pakove me ndihma të ndryshme ushqimore. Fillimisht pakot me nga 80 kg ushqime secila, do t’ju dorëzohen përfaqësuesve të KMSH-së në çdo rreth të vendit, më pas këta të fundit do t’jua shpërndajnë familjeve në nevojë.