Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit Myftinia e Tiranës në bashkëpunim me xhaminë Dine Hoxha organizuan një simpozium në ambientet e Tirana International Hotel. Në këtë simpozium u trajtuan çështje të ndryshme mbi agjërimin, mëshirën, vlerat dhe dobitë e muajit të Bekuar të Ramazanit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Skender Bruçaj, myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, zv/myftiu i Tiranës, Bilal Teqja, imami i xhamisë Dine Hoxha, Ahmet Kalaja, imami i xhamisë së Tabakëve, Elvis Naçi, studiuesi prof. Xhemal Balla, Ferki Shala, moderatori i panelit, Ermir Hoxha, personalitete të qytetit si dhe besimtarë të shumtë.
Kryetari i KMSH-së, Skender Bruçaj theksoi rëndësinë e muajit të Bekuar të Ramazanit si dhe vëllazërinë mes besimtarëve.
“Agjërimi i dhuron shpirtit njerëzor një qetësi shpirtërore. Gjatë këtij muaji hiqen barrierat dhe besimtarët janë më të dashur me Zotin e tyre dhe vëllazëria mes njerëzve shtohet”, tha ndër të tjera Bruçaj.
Gjatë simpoziumit përshëndeti edhe myftiu i Tiranës, Ylli Gurra i cili theksoi se Ramazani është një muaj ku sjell një klimi të bukur shpirtërore tek besimtarët.
Ndërsa referuesit u ndalën më gjerësisht në mirësitë e muajit të Ramazanit, mëshirën e Zotit gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit, përfitimet e agjërimit dhe atmosferën që krijohet në këtë muaj të shënuar.
Referuesit theksuan se agjërimi i ofron shpirtit një burim energjie nga e cila ai ushqehet gjatë tërë vitit. Falë kësaj, ky muaj është quajtur i bekuari, ai në të cilin begatia e Zotit vërshon mbi besimtarët. Në këtë muaj Krijuesi i Gjithësisë hap dyert e mëshirës për të gjithë besimtarët, të cilët e kryejnë këtë adhurim me përkushtim e devotshmëri. Agjërimi mbart në vetvete sakrificën dhe përkushtimin ndaj Allahut. Qëllimi kryesor i agjërimit është fitimi i kënaqësisë së Zotit.
Gjatë programit të pranishmit ndoqën edhe një dokumentar të përgatitur për xhaminë Dine Hoxha si dhe pjesë teatrale dhe ilahi të ndryshme.