Myftinia Shkodër organizoi më 25 qershor 2014, për të katërtin vit radhazi, aktivitetin fetar, “Sofra e Kuranit”, në prag të muajit të begatë të Ramazanit.

Këtë vit, për herë të parë, ky aktivitet u zhvillua në teatrin “Migjeni”, ku të pranishëm për të kënduar pjesë të ndryshme nga Kurani, ishin hafizët e nderuar: Abdullah Shaqiri (Maqedoni), Idriz Osmani (Maqedoni), Ali Pollat (Gjermani), Ibrahim Akbullut (Gjermani) dhe Ahmed Hillmaz (Danimarkë).

I ftuar special i kësaj mbrëmje të begatë besimi në Shkodër, ishte drejtori i Thirrjes Islame në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Elvis Naçi.

Në fjalën e tij, u spikat ftesa për t’u kthyer nga Kurani, si Libri në të cilin, secili njeri mundet të gjejë rrugët e suksesit dhe mbarësisë në jetë. Nëpërmjet shembujve realë nga jeta e përditshme dhe tregimet e të parëve, z. Elvis Naçi bëri thirrje që besimtarët të jenë të kujdesshëm në respektimin e porosive kuranore dhe urdhëresave hyjnore, që e edukojnë njeriun të jetë shembull udhëzimi në jetën e tij.

Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, i cili theksoi se Kurani është garancia më e mirë për jetën e njerëzimit, për t’u kthyer nga besimi dhe vërtetësitë e tij shekullore absolute, të përmbledhura në Kuranin Famëlartë, të vetmin Libër hyjnor të padevijuar nga dora e njeriut.

Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smjalaj, në fjalën e tij përshëndetëse uroi të gjithë besimtarët me rastin e Ramazanit, duke falënderuar për këtë organizim, në të cilin zemrat mbushen me Fjalën e Zotit dhe ku lartësohet Emri i Tij.

Të pranishmit ndoqën me shumë kënaqësi edhe këndimet e pjesëve të ndryshme kuranore dhe ilahitë e bukura në gjuhën shqipe, që mbushën sallën me emocionet e besimit dhe ato të Ramazanit.IMG_5946IMG_5971

IMG_5933 IMG_5938  IMG_6030  IMG_5981  IMG_6043IMG_5964

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë