Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, ishte i pranishëm në ceremoninë e çeljes në Medresenë e Tiranës, ku përpos tij në këtë ceremoni ishin të pranishëm Drejtori i Medresesë, z. Ndriçim Gjimi, stafi pedagogjik i këtij institucioni arsimor dhe nxënësit e ciklit fillor dhe atij të mesëm.

Në fjalën hapëse, Drejtori i Medresesë, z. Gjimi, u shpreh entuziast në fillimin e një tjetër viti shkollor plot me sfida duke uruar të gjitha palët për sa më shumë suksese dhe mbarësi.

Ndërsa Nënkryetari Bica, pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i uroi ata për një vit sa më të bereqetshëm në arritjet e objektivave të radhës, parashtroi rëndësinë e medresesë si një institucion i veçantë arsimor.

“Medreseja, me mësuesit e saj të shkëlqyer dhe të përkushtuar ka dhjetëra vite që kontribuon në realizimin e dëshirave të prindërve tanë, në mënyrë që fëmijët e tyre të jenë sa me të ditur, suksesshem dhe të virtytshëm. Për disa nga ju ky është viti i dytë apo i tretë, e për disa të tjerë është viti i parë që keni zgjedhur ta vazhdoni rrugëtimin tuaj të dijës në këtë shkollë të mrekullueshme me një staf të përkushtuar. Jam i bindur se keni bërë zgjedhjen e duhur për të ardhmen tuaj.” – u shpreh ai.

Pas përfundimit të ceremonisë së çeljes së këtij viti të ri shkollor, nxënësit e medresesë vijuan me shpërndarjen nëpër klasat përkatëse ku edhe filluan ditën e parë të shkollës për këtë vit.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë