Ditën e enjte, më 19 nëntor 2015 është zhvilluar një takim miqësor midis përfaqësuesve te Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, drejtuesve të Departamentit të Shkencave Islame pranë Universitetit Bedër dhe drejtuesve të Akademisë Teologjike Ortodokse. Ky takim u organizua për të promovuar dialogun ndërfetar, nëpërmjet hapave konkret të njohjes dhe prezantimit të stafit pedagogjik të të dyja palëve.
Në vizitën e zhvilluar në Akademinë Teologjike Ortodokse, merrnin pjesë drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Dr. Atakan Derelioglu, zv/përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame z. Adil Kutlu, si dhe sekretari i Qendrës për Studime Islame në Universitetin Bedër, z. Hysni Skura.
Në këtë takim ata janë pritur nga Dekani i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Hirësi Nikolla, si dhe nga z. Vlash Plepi dhe z. Thoma Shkira, anëtarë të stafit pedagogjik të Akademisë.
Gjatë takimit dhe bisedimeve në një nga ambientet e Akademisë Teologjike, të dyja palët kanë prezantuar programin mësimorë, që zhvillohet në departamentet përkatëse, mësimet dhe leksionet që japin, duke u njohur kështu më mirë në aspektin arsimor dhe atë të literaturës të teologjisë Islame dhe asaj Ortodokse. Palët biseduan gjithashtu edhe mbi tema të ndryshme të bashkëpunimit në kuadër të dialogut ndërfetar midis institucioneve, sidomos në fushën akademike.
Drejtori i Kulturës në KMSH, Dr. Genti Kruja, i ka dhuruar dekanit të Akademisë Teologjike Ortodokse Hirësi Nikollës, botimet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke e njohur me literaturën e botuar kryesisht kohët e fundit nga KMSH.
Gjatë takimit të ftuarit kanë vizituar auditorët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, sallën e konferencave, bibliotekën dhe kompleksin e Manastirit të Shën Vlashit.
Të dyja palët e kanë vlerësuar si mjaft të frytshëm këtë takim, duke e cilësuar si një ndër hapat e parë të kalimit nga dialogu teorik në atë praktik, pikërisht nëpërmjet takimit dhe njohjes sa më mirë të njëri-tjetrit.