ZK1A0466

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi sot, më 17 qershor 2015, një simpozium me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. Në këtë aktivitet u trajtua rëndësia, vlerat dhe dobitë e Ramazanit për njeriun, familjen e shoqërinë.

Simpoziumi nisi me këndimin e një pjese kur’anore nga Gazmend Teqja, zv/myfti i Tiranës. Në vijim të ftuarit dhe pjesëmarrësit i përshëndeti Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj. Në fjalën e tij z. Bruçaj e vuri theksin te rëndësia e këtij muaji të bekuar, në të cilin manifestohet përkushtimi i besimtarëve ndaj Zotit me anë të kësaj sakrifice sublime. “Agjërimi është një institucion moralo-shpirtëror, që zhvillon te njeriu ndjenja të tilla si: mëshirën, dhembshurinë, bamirësinë dhe sinqeritetin, por, mbi të gjitha, e afron dhe e bën më shumë falënderues ndaj Zotit”, u shpreh Kryetari Bruçaj.

Nënkryetari Ali Zaimi referoi mbi temën “Ramazani, moment reflektimi”. Z. Zaimi solli në vëmendje disa nga vlerat e shumta të Ramazanit, i cili konsiderohet si pranvera e jetës së besimtarit. “Ramazani është muaji i reflektimit, i cili ndikon fuqishëm në rregullimin e jetës sonë sipas një sistemi të përsosur jete, sipas Islamit”, tha z. Zaimi.

Për temën “Aspekti social i Ramazanit” referoi Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra. “Ramazani është muaji në të cilin manifestohet më shumë mëshira e dashuria. Ky është muaji kur të pasurit nxiten të mendojnë më shumë për të varfrit, ndërsa njerëzit në përgjithësi priren t’i forcojnë më shumë marrëdhëniet familjare, farefisnore dhe ato shoqërore”, nënvizoi z. Gurra.

“Urtësitë e Ramazanit” ishte tema e referuar nga Elvis Naçi, drejtor i Thirrjes dhe Mesazhit Islam. “E vërteta kryesore e agjërimit në Islam, vjen si pasojë e mbikëqyrjes së Allahut ndaj agjëruesit, si dhe shqetësimi dhe përkushtimi i këtij të fundit për të agjëruar vetëm për hir të Allahut”, u shpreh z. Naçi.

Një tjetër temë ishte ajo e trajtuar nga Myftiu i Durrësit, Redin Quku, i cili foli mbi aspektin socio-psikologjik të agjërimit. “Agjërimi, – u shpreh z. Quku, – duke ulur intensitetin e instinkteve dhe emocioneve shtazore e trupore, influencon në vendosjen e ekuilibrit logjikë-kompleks instinktesh dhe emocionesh, për pasojë dhe ekuilibrin psikik.”

Moderimi i simpoziumit u bë nga Drejtori i Kulturës, Dr. Genti Kruja, i cili theksoi se, muaji i Ramazanit na fut brenda një atmosfere të përshpirtshme dhe ka një ndikim të jashtëzakonshëm, sidomos në këto kohë të tendosjeve psikologjike. Në fund, duke falënderuar referuesit dhe pjesëmarrësit, ai uroi një Ramazan të mbarë, agjërim të lehtë dhe sakrificë të shpërblyer për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Simpoziumi i organizuar në Hotel Tirana u mbyll me një koktej. Për pjesëmarrësit u dhurua numri i fundit i revistës “Drita Islame”.

ZK1A0421

ZK1A0480

ZK1A0488

ZK1A0528

ZK1A0595

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë