Nënkryetarët e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe drejtori i Arsimit në KMSH kanë zhvilluar një tur vizitash në medresetë e vendit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Gjatë këtyre vizitave ata zhvilluan një sërë takimesh me drejtuesit e medreseve, stafin pedagogjik dhe nxënësit duke ju uruar një vit të mbarë dhe të suksesshëm shkollor.

Vizita nisën në Medresenë e Tiranës, ku nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu dhe drejtori i Arsimit në KMSH, z. Oltion Kola morën pjesë në ceremoninë e fillimit të vitit të ri shkollor.

Në fjalën e tij përshëndetëse nënkryetari i KMSH-së, z Bujar Spahiu tha se përpjekja në rrugën e dijes është një hap më shumë në rrugën e profetëve.
“Dituria është trashëgimia që na kanë lënë profetët. Në këtë shkollë ju keni mundësinë që të përparoni dhe të jeni ndjekës të rrugës së profetëve”, tha ndër të tjera z. Spahiu.

Më pas drejtori i arsimit bashkë me nënkryetarin tjetër të KMSH-së, z. Lauren Luli vijuan vizitat në medresetë e tjera të vendit, në Medresenë e Kavajës, Medresenë e Elbasanit, Medresenë e Korçës, Medresenë e Durrësit dhe në Medresenë e Shkodrës.

Gjatë vizitave nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli u shpreh se KMSH i ka dhënë gjithmonë përparësi arsimit dhe edukimit të brezave të rinj.

“Arsimi dhe edukimi i brezave të rinj është prioritet i KMSH-së. Dëshmi e kësaj janë vetë medresetë me një traditë të shkëlqyer arsimimi dhe edukimi. Suksesi dhe arritjet e nxënësve të medreseve është një vlerë e çmuar për shoqërinë tonë”, tha ndër të tjera nënkryetari i KMSH-së.

Drejtori i arsimit uroi për të gjithë një vit të mbarë shkollor duke veçuar nxënësit të cilët ulen për herë të parë në bankat e medreseve.

“Uroj përzemërsisht të jetë një vit shkollor i mbarë, në veçanti dëshiroj t’ju jap mirë se ardhjen nxënësve të cilët ulen për herë të parë në bankat e medresesë, i përgëzoj që së bashku me familjet e tyre kanë përzgjedhur medresenë; Pasi këtu do të gjejnë një atmosferë të shkëlqyer për të marrë dijet bashkëkohore dhe moralin e bukur”, u shpreh z. Kola.

Gjatë këtyre vizitave u përgëzua edhe stafi pedagogjik, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e brezave të rinj.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë