Federata e Paqes Universale me qendër në Shqipëri, zhvilloi konferencën virtuale me temë: “Udhëheqësit shpirtërorë, burim shprese dhe harmonie për njerëzit në kohë krizash”.
E zhvilluar nëpërmjet platformës online “zoom”, kjo konferencë mblodhi sëbashku personalitete të ndryshëm dhe përfaqësues nga të gjitha komunitetet fetare të vendit tonë, veçojmë këtu Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.
Në fjalën e tij, Kryetari Spahiu, pasi falënderoi organizatorët për zhvillimin e kësaj konference, u ndal në gjendjen aktuale nëpër të cilën po kalon jo vetëm vendi ynë por edhe bota mbarë, duke e vënë theksin mbi gjendjen e krijuar nga Pandemia Covid-19 dhe pasojat që la tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.
“Të dashur pjesëmarrës, ne si përfaqësues fetarë kemi një detyrë të rëndësishme në përçimin e shpresës, inkurajimin e të mirës, frymën e dashurisë, harmonisë dhe mirëkuptimit. Njeriu është qenie emocionale dhe situata të tilla shpesh e çojnë në pesimizëm, por në të tilla raste është jetik zgjimi dhe mbajtja gjallë e një e elementi shumë të rëndësishëm siç është shpresa. Shpresa nuk nënkupton që në një gjendje angështie ne vetëm të shpresojmë e si rrjedhojë të mos përpiqemi. Shpresa është përpjekja, është plotësimi i shkaqeve për të kaluar situatat e vështira, dhe pasi të jenë bërë të gjitha përpjekjet e duhura, shpresa dhe dorëzimi te Zoti i gjithësisë janë ajo që duhet të bëjë njeriu.” – theksoi Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij.
Kjo konferencë u zhvillua në kuadër të dhjetëra aktiviteteve të tjera të ngjashme që Federata e Paqes Universale ka organizuar gjatë muajit dhjetor në të 4 kontinentet, me qëllim përcjelljen e mesazheve të paqes, shpresës dhe solidaritetit për të gjithë njerëzit në mbarë botën.