Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Z. Skender Bruçaj, uron të gjithë studentët dhe pedagogët e institucioneve të arsimit të lartë në vend, një vit akademik sa më të mbarë dhe të suksesshëm!
I pranishëm në ceremoninë e hapjes së vitit akademik 2017 – 2018 të Kolegjit Universitar Bedër, Kryetari i KMSH—së, në fjalën e tij përshëndetëse pasi shtroi rëndësinë e shfrytëzimit të mundësive nga ana e studentëve të rinj, u ndal në mbështetjen e vazhdueshme të Komunitetit Mysliman ndaj Kolegjit Universitar Bedër në tërë aktivitetin e tij akademik e shkencor.
“Këto 3 vite që ju do të kaloni në këtë institucion janë të një rëndësie të veçantë pasi tani është koha e duhur që ju të ndërtoni themele të forta për të ardhmen tuaj profesionale. Sigurohuni ti shfrytëzoni sa më mirë mundësitë që Bedër ju ofron, në mënyrë që të hidhni hapa të shëndetshëm për të ardhmen tuaj.”- tha Z. Bruçaj gjatë fjalës së tij.
Ndërsa Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, bëri një rezyme të shkurtër të 7 viteve aktivitet të institucionit që ai drejton, duke theksuar cilësinë e studentëve të diplomuar ndër vite si një ndër arritjet më të mëdha të institucionit.
“Arritjet tuaja në këto 3 vite nuk janë sukses vetëm i juaji por janë njëkohësisht sukses edhe për ne, pasi një ndër gjërat që ne krenohemi janë studentët e aftë profesionalisht që nxjerrim në tregun e punës. Universitati Bedër në këto 7 vite aktivitet, e ka treguar se në misionin e tij për arsimimin e brezave të rinj në vendin tonë, sasia ecën në raport të drejtë me cilësinë”.
Kolegji Universitar Bedër u hap në prill të vitit 2011 me kërkesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe me vendim të Këshillit të Ministrave të asaj kohe. Tashmë, në të 7-tin vit akademik, Bedër numëron një sërë arritjesh në fushën e arsimit të lartë dhe konsolidim të profilit ndërkombëtar.
Me zhvillimin e dhjetëra konferencave kombëtare e ndërkombëtare, workshopeve, aktiviteteve të ndryshme akademike e studentore, praktikave profesionale brenda dhe jashtë vendit, programeve të shkëmbimit me universitete kudo në botë, ky institucion është kthyer në preferencën e parë për të gjithë maturantët që synojnë të ndërtojnë një karrierë të suksesshme profesionale në fushën e Drejtësisë, Shkencave të Komunikimit, Shkencave Islame, Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Psikologjisë së Këshillimit dhe Pedagogjisë si dhe Arsimit Parashkollor dhe Fillor.