Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Të nderuar besimtarë!
Në një ditë të tillë festë në të cilën atmosfera shpirtërore ndihet anembanë, dua t’ju përcjell urimet më të mira, qofshi të gëzuar e në paqe me të gjithë të dashurit e zemrës.
Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu i lartësuar. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban e duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.
Në këtë ditë feste e gëzimi të Kurban Bajramit u bëj thirrje të gjithë besimtarëve vullnetmirë që të bëhemi falënderues për të gjitha mirësitë dhe begatitë qe i kemi dhuratë nga krijuesi ynë, dhe të tregohemi bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë, me jetimët dhe me të gjithë ata që presin përkujdesin dhe vëmendjen tonë.
Të jemi më mëshirues e tolerant, duke respektuar njeri-tjetrin dhe të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pa reshtur për të gjithë njerëzimin mbarë.
Le të lutemi e të festojmë të bashkuar dhe të flasim vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, falënderimit dhe ndihmës reciproke me synimin e fitimit te kënaqësisë së Zotit.
Më lejoni t’ju uroj përzemërsisht të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, Gëzuar Kurban Bajramin me lutjen që të shtohet mirëkuptimi, dashuria për njëri-tjetrin dhe të ketë paqe e mirësi në çdo fole familjare e shoqërore.