Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, së bashku me anëtarë të tjerë të kryesisë së institucionit, zhvilluan një vizitë punë në Myftininë e Gjirokastrës, ku u pritën nga Myftiu Aorel Senja, administratori dhe imamët e myftinisë.
Qëllimi i kësaj vizite ishte ndjekja në terren e objektivave të vendosura në mbledhjet e zhvilluara më herët në selinë e KMSH-shë për planin strategjik të punës 2024-2029.
Në mbledhjen e zhvilluar ndërmjet palëve, Myftiu Senja, solli edhe një herë në vëmendje disa nga objektivat më të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj myftinie, si në aspektin fetar po ashtu edhe në atë administrativ.
Ndërsa kryetari Spahiu, e përgëzoi Myftiun dhe imamët e pranishëm për punën e deritanishme në këtë aspekt dhe ju siguroi mbështetjen e institucionit në zhvillimin e mëtejshëm të jetës fetare të myftinisë, vakëfeve dhe aspektit ndërinstitucional të saj.
Kjo mbledhje u zhvillua më tej në formën e një bashkëbisedimi të hapur duke prekur tematika të ndryshme.