
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, së bashku me anëtarë të tjerë të kryesisë së institucionit, zhvilluan një vizitë pune në Myftininë e Kamzës, ku u pritën nga Myftiu Islam Hoxha, administratori dhe imamët përkatës.
Kjo vizitë, pjesë e një turi të gjerë vizitash pune në myftinitë e vendit, kishte për qëllim monitorimin dhe mbështetjen në terren të realizimit të objektivave të përcaktuara në mbledhjet e mëparshme lidhur me planin strategjik të punës për periudhën 2024-2029.
Gjatë takimit, Myftiu Hoxha paraqiti një përmbledhje të detajuar të aktiviteteve dhe arritjeve të myftinisë, duke nxjerrë në pah përpjekjet e vazhdueshme në përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe shërbimeve fetare. Ai theksoi gjithashtu iniciativat për rritjen e nivelit të arsimit fetar nëpërmjet kurseve dhe sfidat që lidhen me menaxhimin e burimeve njerëzore.
Në fjalën e tij, kryetari Spahiu, e përgëzoi Myftiun dhe imamët për angazhimin e palodhur dhe arritjet e deritanishme. Më tej ai theksoi rëndësinë e vazhdimësisë në përmbushjen e objektivave strategjike dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet myftinisë dhe institucioneve publike e ato private, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm në shoqëri.
Takimi vazhdoi më tej në formën e një bashkëbisedimi të hapur, ku u diskutuan tema të ndryshme, përfshirë rëndësinë e edukatës fetare për rininë, përmirësimin e infrastrukturës së objekteve fetare, etj.





